AlbanianSport.com 26/12/2018 21:45
ASNN – Paraqitja e lojtarëve shqiptarë në ndeshjet e radhës në kampionatin italian ishte në tërësi e mirë. I vetmi që “mbeti në klasë” ishte Berat Gjimshiti. Mbrojtësi kuqezi shënoi një autogol në duelin që Atalanta pati me Juventusin në kuadër të javës së 18-të të kampionatit italian. Ndeshja u mbyll në barazim 2-2 dhe pavarësisht se ekipi nga Bergamo ishte në avantazh numerik në pjesën e dytë.
Madje po e fitonte ndeshjen 2-1, por një gabim në mbulim i Gjimshitit bëri që Ronaldo i futur në pjesën e dytë të shënonte golin e barazimit, duke bërë që Juve të marrë një pikë, ndërsa Atalanta të humbiste dy pikë. Nuk ishte rasti i vetëm kur gaboi Gjimshiti, pasi përveç autogolit dhe fajin tek goli i Ronaldos, në shumë aksione ishte “jashtë loje”, aq sa mediat italiane e cilësuan paraqitjen e tij në këtë ndeshje “për t’u harruar”.
Mediat italiane e kanë vlerësuar me notën 4, që do të thotë shumë dobët. Ajo më optimistja e ka vlerësuar me 4.5. “Autogoli ishte starti i tij më i keq, për më tepër në një moment që sapo kishte nisur ndeshja, – shkruajnë mediat sportive italiane për Gjimshitin. Nuk arriti të gjejë asnjëherë koordinatat e duhura ndaj kundërshtarit. Humbi kontrollin e Kristiano Ronaldos në rastin e golit të barazimit.”
“Dhe më pas shpëton në rastin e Manxhukiçit, por në mënyrë krejt spontane e pa ide. Më shumë e ngatërroi këtë ndeshje sesa e rregulloi. Një paraqitje për t’u harruar”, – përfundojnë mediat italiane përshkrimin e futbollistit kuqezi.