AlbanianSport.com 18.05.2015 14:25
ASNN – Sulmuesi shkodran vijon që të ruajë ecurinë pozitive të shënimit të golave të njëpasnjëshëm. Bekim Balaj ka gjetur edhe një herë tjetër rrugën e rrjetës në ndeshjen e radhës. Shkodrani shënoi golin e parë në takimit që Rijeka zhvilloi me Zadarin në fushën e kësaj të fundit.
Kur po luhej minuta e fundit e pjesës së parë, Bekim Balaj është treguar i saktë dhe i ka dhënë avantazhin skuadrës së Rijekës. Një gol ky, i futbollistit që është pjesë e skuadrës kombëtare të Shqipërisë, që ka mbyllur edhe fraksionin e parë të lojës dhe ka dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me epërsinë e Rijekës.
Pas këtij goli, sulmuesi shkodran ka rikonfirmuar edhe një herë vazhdimësinë e tij pozitive me skuadrën kroate, që, edhe pse në vetëm pak muaj aty, ka arritur që të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm. Përshtatja e sulmuesit të Kombëtares ka qenë e menjëhershëm, pasi, në vetëm pak muaj, Balaj ka shënuar një numër të madh golash.
Ky është goli i tetë për sulmuesin shkodran me fanellën e skuadrës së Rijekës në vetëm pak muaj. Balaj la skuadrën e Slavias së Pragës në janar për t’u transferuar në kampionatin kroat. Skuadra e shqiptarit është në vendin e dytë, e shkëputur nga ekipet ndjekëse dhe ka qenë rivalja e vetme e Dinamos së Zagrebit gjatë këtij sezoni.