AlbanianSport.com 03.02.2016 09:35
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares, Bekim Bala, ka shënuar dy gola të tjerë në miqësoret e skuadrës së tij kroate, Rijekës, duke konfirmuar formën shumë të mirë që po kalon. Në fakt, duhen edhe 10 ditë deri në rifillimin e sezonit, por ai është gati. Bekim Bala shënoi dy gola në ndeshjet e fundit përgatitore të Rijekës, duke treguar sesa i rëndësishëm mbetet për skuadrën kroate.
Sulmuesi i kombëtares shkëlqeu në suksesin 5-0 ndaj ekipit slloven, Rudarit të Velenjes, në përballjen luajtur pikërisht në stadiumin “Kantrida” të Rijekës, ndërsa kroatët po u japin dorën e fundit përgatitjeve. Shkodrani, që u bë 25 vjeç një muaj më parë, çeli rrugën e fitores, si dhe realizoi golin e tretë të vendasve. Autor i 7 golave në fazën e parë, një nga më të mirët e Ligës së parë kroate, Balaj është pa dyshim, sulmuesi kryesor i Rijekës për momentin.
Pak ditë më parë ai i dha fitoren 1-0 skuadrës së tij ndaj ekipit tjetër slloven, NK Goricës, ndërsa në Dubai shkëlqeu së bashku me Odise Roshin. Të dy futbollistët e Kombëtares janë në formën maksimale pas fazës përgatitore dimërore në Gjirin Persik, dhe mezi presin të dalin në fushë në 12 shkurt, në javën e parë të kampionatit për 2016-ën.
Bala dhe Roshi do të jenë përballë Lokomotivës së Zagrebit, pra kundër talentit të ri shqiptar, Eros Grezda. Rijeka pretendon titullin “kampion” pasi katër herë në histori u detyrua të dilte e dyta në Kroaci.