AlbanianSport.com 22/02/2019 18:45
ASNN – Bekim Balaj sërish gol, Panuçi e ka tani të vështirë zgjedhjen në vijën e parë. Sulmuesi Bekim Balaj shënoi sërish të premten, në një tjetër miqësore të skuadrës së tij Akhmat Grozni. Shkodrani shënoi golin e parë në fitoren 2-0 të skuadrës çeçene përballë bjellorusëve të Dinamos së Minskut. Një fitore e merituar e skuadrës së Balajt, por edhe për vetë sulmuesin kuqezi.
Ai po shënon rregullisht në këto takime miqësore të skuadrës së tij gjatë fazës përgatitore dimërore që po zhvillon në Turqi. Balaj me këtë gol konfirmon momentin e mirë që po kalon dhe në të njëjtën kohë i jep një sinjal të qartë trajnerit Kristian Panuçi që ta llogarisë për duelet eliminatore të fundmarsit ndaj Turqisë dhe San Marinos. Në fakt, në këtë moment vetë trajneri e ka të vështirë të bëjë zgjedhjen.
Sepse të gjithë sulmuesit po kalojnë formë të mirë. Dhe këtu bëhet fjalë për kthimet e rëndësishme si Sokol Cikalleshi dhe Armand Sadiku, ndërsa nga të rinjtë spikasin Fiorin Durmishaj, Francesko Tahiraj, Myrto Uzuni, Rei Manaj e ndonjë tjetër. Padyshim, përvoja e Balajt mund të jetë thelbësore, sepse shtatlarti shkodran edhe në fazat grumbulluese i ka dhënë Panuçit mundësinë të kuptojë që grupi me të në fushë është më agresiv dhe një futbollist që e mban të mbërthyer mbrojtjen kundërshtare.