Adriatik Balla 17.10.2015 13:25
Sipas mediave italiane, zbulimet e Xhovani De Biazit në dy vitet e fundit tek Shqipëria kanë qenë të mëdha. Ai ka seleksionuar një numër të madh futbollistësh, të cilët i ka angazhuar në ekipin kombëtar dhe në takimet miqësore e zyrtare të përfaqësueses së Shqipërisë. Këta lojtarë, sipas medias italiane, janë në gjendje të luajnë me klube të ndryshme italiane, qoftë në Serie A, por sidomos në Serie B, duke qenë me statistika shumë të volitshme.
Si shembull suksesi merret Elseid Hysaj që luan titullar tek Napoli, por në mediat e vendit fqinj prej disa ditësh u kushtohet rëndësi talenteve shqiptare të Kombëtares. Mbi të gjithë qëndron Rei Manaj i Interit, i cili mendohet të ketë shumë të ardhme, ndërsa Berat Gjimshiti dhe Herolind Shala kanë një shans të madh në karrierë. Por jashtë vëmendjes nuk mbeten as Bekim Balaj dhe Odise Roshi, të cilët kanë forcë të madhe fizike dhe mund të luajnë me sukses në ekipet italiane.
Madje Balaj dhe Roshi cilësohen si e ardhmja e ekipit kuqezi dhe futbollistë që pritet të bëjnë diferencë për ekipin e tyre në Evropianin e Francës në verën e vitit 2016. Një zbulim interesant, gjithashtu, është dhe ai i Naser Alijit, që zhvilloi një ndeshje perfekte ndaj Armenisë dhe zëvendësoi me sukses veteranin Ansi Agolli.