AlbanianSport.com 20/01/2019 23:00
ASNN – Berisha dhe Gjimshiti shkëlqejnë në fitoren e Atalantës, me këtë ritëm shkojnë në Ligën e Evropës. Dy lojtarë të Kombëtares kuqezi, Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti, i pari portier i skuadrës përfaqësuese e tjetri qendërmbrojtës i saj, bënë një paraqitje të shkëlqyer ditën e diel, duke qenë ndër më të mirët në radhët e skuadrës së Atalantës, e cila korri në udhëtim një fitore të madhe 5-0 ndaj Frosinones.
Mançini hapi “festivalin” e golave që në minutën e 11-të, ndërsa në fund të pjesës së parë shënoi golin e dytë Zapata, golashënuesi më i mirë i Atalantës dhe nga më të mirët në Serinë A të Kampionatit Italian të Futbollit. Ky futbollist shënoi në pjesën e dytë edhe tre gola të tjerë, duke vulosur një fitore të madhe të skuadrës nga Bergamo, por edhe në aspektin profesional.
Tek goli i tretë protagonist ishte dhe mbrojtësi Gjimshiti, që dha pasimin ideal për Zapatën. Kjo fitore e ngjti Atalantën në vendin e 6-të, pozicion që i siguron pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, por me këtë ecuri, skuadra nga Bergamo mund të pretendojë edhe më shumë, sepse ka potencial të madh, por edhe qëndrueshmëri në lojën dhe rezultatet e saj.
Sa u takon lojtarëve shqiptarë të saj, ata u vlerësua në mediat italiane me notë të lartë, pasi, si Berisha, ashtu dhe Gjimshiti, jo vetëm ishin titullarë, por bënë një ndeshje perfekte. I meritojnë të gjitha lëvdatat në këtë sukses trepikësh të Atalantës.