AlbanianSport.com 11/01/2019 12:55
ASNN – Armando Vajushi mbetet pa “rrënjë”, kalon tek Botoshani në Rumani për dy javë provë. Një nga lojtarët e spikatur që ka dalë nga kampionati shqiptar, madje i vlerësuar edhe si më i miri në Shqipëri pak vite më parë, tani endet rrugëve në kërkim të një skuadre të re në karrierën e tij. Përvojat e mëparshme në Serinë B italiane me Livornon, Pro Verçelin dhe Avelinon nuk kanë shkuar si duhet.
Shkak janë bërë dëmtimet e shpeshta e të gjata të tij, duke mos pasur mundësi të ritet cilësisht dhe të bëjë paraqitje të qëndrueshme. Pra minutazhi i Vajushit si lojtar aktiv është i paktë dhe kjo e penalizon atë tej mase. Sidoqoftë, së fundmi ai ka kaluar tek Botoshani në kampionatin rumun. Kjo skuadër sapo ka nisur fazën përgatitore dimërore dhe shkodrani është përfshirë në listën e saj.
Jo si lojtar i formacionit, por në provë. Do të jenë dy javë teste për mesfushorin me tipare sulmuese dhe shpresohet që ai ta kalojë “klasën”. Një zhgënjim tjetër i tij do të sillte pasoja për vazhdimësinë e karrierës, sepse në Serinë B nuk po gjen hapësira dhe do të detyrohet të kthehet në Shqipëri me ndonjë skuadër të Superiores. Botoshani ëstë ekip i njohur në kampionatin rumun.
Dhe vitet e fundit vetë kampionati i këtij vendi ka mundur të thithë disa lojtarë me origjinë shqiptare. Madje atje luajnë edhe Enriko Papa, Azdren Llullaku e Kamer Qaka, që të gjithë pjesë e kuqezinjve. Më herët edhe Vajushi ka qenë pjesë e projektit të trajnerit Kristian Panuçi, por mungesa e minutave në fushë ka sjellë mungesën e emrit të tij në grumbullimet e Kombëtares gjatë vitit 2018.