AlbanianSport.com 30/11/2018 12:25
ASNN – Një lajm i mirë për Kombëtaren ka mbërritur ditën e premte, ku mësohet se sulmuesi Armando Sadiku ka nisur vrapimet e gjata, si pjesë e rikuperimit të tij pas dëmtimit të rëndë që pësoi në verë dhe ku u desh të bënte ndërhyrje kirurgjikale. Sipas informacioneve që servirin mediat sportive iberike në Internet, kthimi i Sadikut në gjendje për të luajtur do të përkojë me fillimin e eliminatoreve të Kampionatit Evropian në pranverën e vitit 2019.
Mediat spanjolle shkruajnë se Sadiku ka filluar sot etapën e fundit të riaftësimit, pra periudhën e vrapimeve të gjata në fushë për të forcuar muskulaturën e këmbës tek e cila është kryer operacioni. Sidoqoftë, nuk pritet një rikthim i shpejtë në lojë, sepse sulmuesit të Kombëtares i duhet shumë punë fizike përgatitore para se të fillojë veprimet me topin. Referuar informacioneve të mediave spanjolle, Armand Sadikut mund të kthehet të luajë rregullisht me skuadrën vetëm në muajin shkurt.
Sidoqoftë, ky është një lajm i mirë për Kombëtaren e cila ka vuajtur në repartin e sulmit për një golashënues të mirëfilltë, ndërsa trajneri Kristian Panuçi me siguri që do ta ketë në pranverë një zgjedhje të parë. Sadiku ka pasur një ecuri mjaft të mirë në Kombëtare, pasi ka realizuar 11 gola në më pak se 30 ndeshje të luajtura, një koeficient i mirë realizimi për sulmuesit e përfaqësueses kuqezi.