AlbanianSport.com 07/12/2018 19:15
ASNN – Mbrojtësi Ansi Agolli është përfshirë në formacionin më të mirë të javës në Azerbajxhan, pas paraqitjes shumë të mirë që ai bëri në javën që lamë pas me Karabagun. Në fakt, nga 11-lojtarët e përzgjedhur 8 i përkasin Karabagut, gjë që tregon se në kampionatin azer skuadra e Agollit bën “ligjin”.
Duket ironike, por në fakt kërkon analizë lojtari që shkëlqen me skuadrën e tij dhe sfidon moshën, Ansi Agolli, nuk u ftua nga trajneri Kristian Panuçi në ndeshjet e Kombëtares në muajin tetor dhe nëntor. Ndërkohë që u morën për eksperiment disa lojtarë dhe asnjëri nuk nguli rrënjë në përfaqësuese, Agolli, lojtar me kaq përvojë dhe unik në pozicionine tij, u la jashtë.
Vetë Agolli ka një reagim ironik për këtë çështje, duke thënë se ajo që flet më mirë është fusha. “Fusha është ajo që flet më bukur dhe më qartë, – u shpreh Agolli për mediat sportive të ditës, – por ajo që është më e rëndësishmja, fusha nuk nxitohet asnjëherë. Ajo i jep secilit hakun, kështu që edhe unë eci përpara.”
Agolli ka prej vietsh në kampionatin azer, duke u shndërruar në një lider të vërtetë me skuadrën e Karabagut, skuadër me të cilën ka luajtur edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Kombëtarja ka nevojë për një futbollist të tillë që ruan ecuri pozitive dhe nivel të lartë pavarësisht viteve mbi kurriz.