AlbanianSport.com 21.12.2016 07:55
ASNN – Ai mbetet një etalon për disiplinën dhe atë që jep në fushën e blertë dhe kjo e ka bërë atë mjaft të dashur për tifozët e skuadrës së tij mijëra kilometra larg Shqipërisë. Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Ansi Agolli është nderuar me çmimin “Lojtari i Huaj Më i Mirë i Vitit” në Azerbajxhan, ku prej disa vitesh ka arritur të tregojë vlerat e tij me skuadrën e Karabagut.
Agolli është vlerësuar nga Federata e Futbollit të Azerbajxhanit për paraqitjet e tij gjatë këtij viti që po lëmë pas. Skuadra e Agollit aktualisht renditet në vendin e parë në kampionat, ndërsa pati një ecuri pozitive në Ligën e Evropës, kur edhe pse u eliminua në ndeshjen e fundit në grupe, duke u mposhtur nga Fiorentina, arriti të grumbullonte 7 pikë, duke u renditur në vendin e 3-të.
Një meritë të padiskutueshme për këtë ecuri të Karabagut ka pasur edhe mbrojtësi shqiptar, për të cilën tashmë ka ardhur edhe vlerësimi. “Jam i nderuar që sot mora çmimin “Lojtari i Huaj Më i Mirë i Vitit”, – shkroi mbrëmë Agolli në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”. – E vërteta është që, që nga dita e parë tek Karabagu, asnjëherë nuk e kam ndier veten të huaj.
“Kjo falë trajnerit Gurban, pjesëtarëve të klubit, shokëve të skuadrës dhe sigurisht tifozëve! – ka vijuar kapiteni i Kombëtares kuqezi. – Ata më bëjnë të ndihem sikur luaj çdo ndeshje në shtëpi, edhe pse jam larg saj. Dua ta ndaj këtë çmim me gjithë këta njerëz. Falenderoj gjithashtu të gjithë gazetarët që janë këtu sot, dhe ata që votuan për mua.”