AlbanianSport.com 14.05.2015 12:25
Mbrojtësi i përfaqësueses tonë, Ansi Agolli, po shkëlqen me skuadrën e tij, Karabakun, në kampionatin e Azerbajxhanit, duke qenë titullar i padiskutueshëm dhe një nga lojtarët që ka kontribut thelbësor në sukseset e kësaj skuadre në kampionatin e këtij vendi. Duke folur për faqen sportive vendase në Internet, “azerispor.com”, Agolli ka shprehur ambiciet e tij dhe të skuadrës së tij për fitimin titullit “kampion”, duke bërë dhe një analizë të gjendjes në kampionatin azer.
I pyetur për shkurtimin e largësisë së pikëve nga ana e ekipit të Interit të Bakusë dhe futjes në lojë të këtij të fundit, Agolli u përgjigj: “Ne humbën disa pikë në (dy) ndeshjet e
fundit, dhe Interi përfitoi nga kjo, – tha ai. – Këtu nuk ka asgjë të çuditshme.” Agolli tha se nuk ka asnjë problem brenda Karabakut, duke theksuar: “Po vazhdojmë normalisht punën tonë”. Në lidhje me ndeshjen e ardhshme kundër Sumqçajit (të shtunën, 17:00) dhe se çfarë priste prej saj, Agolli tha: “Për ne, çdo ndeshje është e vështirë”.
“Për me tepër që, në radhët e Sumqçajit ka shumë lojtarë të rinj që po luftojnë mjaft mirë”, – theksoi tiranasi, i cili foli edhe për barazimin (1-1) me Khazar Lankaranin të premten e kaluar, duke thënë: “Na mungoi fati. Ne krijuam shumë shanse, sidomos në pjesën e dytë. Nga ana tjetër, Khazar Lankaran nuk është një ekip i dobët. Mund t’i shkaktojë probleme gjithkujt.” Karabaku i Agollit dhe i Admir Telit do të luajë gjithashtu në finalen e Kupës së Azerbajxhanit kundër Neftçi Baku. Ndeshja do të luhet, më 3 qershor 2015.