AlbanianSport.com 11/02/2019 23:00
ASNN – Në kampionatin grek dy lojtarë shqiptarë lanë të hënën gjurmë pozitive në fushën e lojës, duke pasur kontribut në suksesin e skuadrave të tyre. Natyrisht, kjo është shenjë e mirë dhe për Kombëtaren, pasi trajneri Kristian Panuçi ka mundësi zgjedhjeje para se të vijë momenti i grumbullimit në ekipin kombëtar për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian, ku Shqipëria bën pjesë në grupin e katërt me Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe San Marinon.
Kështu, Migjen Basha luajti vetëm 57 minuta për skuadrën e Arisit të Selanikut në duelin kundër Asteras Tripolit, një ndeshje që ekipi i Bashës e fitoi 3-0. Mesfushori shqiptar bëri një lojë të shkëlqyer, duke qenë “dirigjenti” i skuadrës në fushën e lojës, me magjinë e pasimeve të tij dhe hapjet plot pasion të lojës në mesfushë, një lojtar që eksperienca i jep epërsi të pakrahasueshme. Golat u shënuan të gjithë në pjesën e parë kështu që Basha u zëvendësua në pjesën e dytë, duke marrë vlerësime.
Por ditë e veçantë ishte sot për lojtarin shqiptar me origjinë nga Vlora, Fation Andoni, i cili është pjesë e AEL Larisës. Andoni bëri një superndeshje për ekipin e tij në duelin kundër Paneitolikosit, një ndeshje e mbyllur në barazim 2-2. Pikërisht lojtari shqiptar ishte ai që i dha një pikë skuadrës së tij, sepse i shënoi të dy golat për Larisën. Një mbrëmje magjike për futbollistin shqiptar që është shndërruar në një pikë të fortë për ekipin e Larisës në kampionatin elitar helen.