AbanianSport.net 27.12.2014 15:15
ASNN – Andi Lila do të jetë lojtar i Parmës. Futbollisti i Kombëtares shqiptare është blerja e parë e drejtuesve të rinj të skuadrës italiane, të cilët shpresojnë të krijojnë një formacion të fortë në mënyrë që ta mbajnë Parmën në Serinë A, pasi ajo ndodhet në vendin e fundit të renditjes. Lila në fillin të javës së ardhshme do të mbërrijë në Parma për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën.
Parma ka bërë blerjen e parë për pjesën e dytë të kampionatit italian. Bëhet fjalë për mesfushorin e qendrës, por që luan edhe në rolin e mbrojtësit të krahut, Andi Lila, ish-lojtar i klubit grek, PAS Janina. Sipas mediave italiane, futbollisti i kombëtares shqiptare ka pranuar ofertën e klubit italian dhe në fillim të javës së ardhshme do të udhëtojë drejt Parmës për të kryer vizitat mjekësore dhe për të hedhur firmën në kontratë.
Lila është prej kohësh lojtar në formacionin e kombëtares shqiptare të ideuar nga De Biazi. Ai u bë protagonist në momentin e mini-helikopterit me banderolë, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian. Të gjithë presin që Lila të ndihmojë skuadrën e Parmës të qëndrojë në Serinë A, pasi ajo ndodhet në vendin e fundit në renditje, me vetëm 6 pikë.
Por drejtuesit e rinj kanë premtuar se do të bëjnë të pamundurën për ta mbajtur ekipin mes më të mirave në Itali dhe blerja e Lilës ishte një ndër hapat e parë të tyre drejt krijimit të një ekipi cilësor për të arritur synimin. Interesant është fakti se vetëm 24 orë më parë, kavajasi u përfol për një kalim te Këlni në Bundesligën e parë gjermane, ndërsa tashmë ka zgjedhur Serinë A.