AlbanianSport.com 21/02/2019 13:25
ASNN – Amir Abrashi kthehet pas 11 muajsh, “Pitbulli” i Kombëtares e rinis si titullar. Amir Abrashi ka lënë pas dëmtimin e rëndë afro 1-vjeçar dhe tani ndihet në formë për të dhënë kontributin e tij për Frajburgun në kampionatin elitar gjerman. “Pitbulli” kuqezi është entuziazmuar së tepërmi nga ky kthim mjaft pompoz dhe me një paraqitje fantastike në duelin kundër Shalke 04-ës në fundjavën e kaluar.
Duke folur për mediat gjermane, Abrashi ka kujtuar se kthimi i tij pas 11 muajsh në fushë është një mrekulli dhe se lodhja, edhe pse ishte e madhe, nuk tregonte asgjë, sepse ai ndihej i gëzuar dhe i motivuar për të marrë më të mirën nga kjo ndeshje. Madje dhe vetë mediat gjermane vunë notë cilësore për “pitbullin” shqiptar. “Unë vazhdimisht e motivoj veten sepse ky sport kërkon motivim”, – ka thënë futbollisti kuqezi.
“Nuk mund të rrish shtrirë gjithë ditën dhe të presësh të kalojë vetë dëmtimi e të vijnë ditë të bukura, – vijoi Abrashi. – Duhet të dalësh jashtë, të përpiqesh për më të mirën, sepse këmbëngulja shpërblehet. Nuk ndihem aspak i lodhur, përkundrazi, sepse gëzimi i rikthimit në fushë ta heq krejtësisht shqetësimin dhe lodhjen që ke. Ndihem mirë dhe shpresoj të vazhdoj të përmirësohem.”