Adriatik Balla 10.09.2015 18:20
ASNN – Naser Aliji kthehet sërish te Bazeli. Mediat helvete bëjnë të ditur se klubi “kampion” i Zvicrës i ka dhënë fund huazimit të futbollistit të Kombëtares shqiptare, duke e kthyer atë sërish në skuadër. Që nga sezoni i kaluar, Aliji ishte dhënë borxh te Vaduzi në mënyrë që lojtari të fitonte më shumë përvojë, duke luajtur me vazhdimësi si titullar.
Por dëmtimi i Traoresë e ka detyruar Bazelin të mbyllë përpara kohe kontratën e huazimit, duke e rikthyer sërish 21-vjeçarin “në bazë”. Te skuadra e parë e Bazelit, Naser Aliji do t’u bashkohet futbollistëve të tjerë të kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashit dhe Taulant Xhakës. Nërkohë, Shani Tarashaj është zgjedhur lojtar i muajit gusht në Superligën e Zvicrës në futboll.
Sulmuesi i Gras’hopersit mori 23 mijë e 848 vota në anketën në Internet të revistës “Blick.ch”. I dyti ishte Mikael Langu i Bazelit me 23 mijë e 186 vota. 20-vjeçari Tarashaj është shndërruar ndër sulmuesit kryesorë të Superligës së Zvicrës në edicionin e ri. Ai ka shënuar 6 gola në 7 ndeshje të kampionatit, ndërsa ka realiuar edhe një në ndeshjet e Kupës dhe një me ekipin përfaqësues të Nën-21-vjeçarëve të Zvicrës.