AlbanianSport.com 18.08.2015 07:55
ASNN – Alban Meha debutoi në kampionatin turk me Konjasporin. I transferuar në fillim të verës nga skuadra gjermane e Paderbornit, mesfushori i kombëtares shqiptare luajti si titullar në barazimin 1-1 që ekipi i tij arriti në shtëpi ndaj Akhisar. Meha bëri një paraqitje të mirë në sfidën e parë, ndërsa goli i barazimit për Konjasporin erdhi pikërisht nga goditja e këndit të futbollistit kuqezi.
Ndërkohë, të shtunën në kampionatin turk luajti edhe sulmuesi I kombëtares, Sokol Cikalleshi që gjeti golin e parë me skuadrën e tij të Bashakshehir. Alban Meha e nisi kështu me barazim aventurën në kampionatin turk. Mesfushori i Kombëtares kuqezi, i cili firmosi këtë verë një kontratë 1-vjeçare me Konjasporin, u paraqit mirë në takimin ndaj Akhisarit.
Meha ishte i pranishëm në çdo cep të fushës dhe ishte ai i cili kujdesej për goditjet e këndit. Në këtë mënyrë Konjaspori rrezikonte portën kundërshtare. Nga një goditje këndi u shënua edhe goli i barazimit, që në fakt ishte një autogol i shkaktuar nga braziliani Dagllas Ferreira. Në kampionatin turk vitet e fundit janë transferuar lojtarë të rëndësishëm.
Këtë sezon aty luan kamerunasi Samuel Eto’o apo holandezi Robin Van Persie. Në Superligën Turke luajnë edhe shqiptarë, ku përveç Alban Mehës, është edhe Sokol Cikalleshi, i cili sfidën e parë shënoi gol dhe ndihmoi shokun e ekipit të realizonte një tjetër gol.