AlbanianSport.com 24/11/2018 13:30
ASNN – Ademi jep shembull për të rinjtë shqiptarë në Evropë: “Nuk i thuhet “Jo” fanellës kuqezi”. Kombëtarja ka qenë prioritet për shumë futbollistë shqiptarë që luajnë në vende të ndryshme evropiane. Por me daljen në skenë të përfaqësueses së Kosovës, ka rënë ritmi i atyre që zgjedhin fanellën kuqezi, sepse lojtarët preferojnë të shkojnë tek Kosova jo për shkak të vendlindjes, sesa mundësia që të luajnë në formacionin titullar të skuadrës.
Por shembulli se fanella kuqezi nuk refuzohet dhe zgjedhja e Shqipërisë është proritet jepet nga një lojtar i ri i talentuar që luan me Inter Turkun në Finlandë, Albion Ademi, i ftuar nga trajneri Kristian Panuçi gjatë grumbullimeve të fundit të Kombëtares. Lojtari ka qenë fillimisht pjesë e skuadrës së Shpresave të Alban Bushit para se të kalonte në Kombëtaren A, por ende nuk ka marrë kënaqësinë e angazhimit në fushën e lojës.
Sidoqoftë, në një intervistë të dhënë për mediat finlandeze, Ademi ka treguar për emocionet e angazhimit në përfaqësuesen e Shqipërisë. Edhe pse 19-vjeçar, ai beson se do t’i vijë momenti i tij për të treguar vlerat e vërteta sportive me skuadrën kombëtare. Ademi ka komentuar edhe dy ndeshjet e fundit, humbjen e thellë 0-4 me skocezët si dhe fitoren e brishtë 1-0 në miqësoren ndaj Uellsit.
“Humbja e thellë e Shqipërisë në ndeshjen me Skocinë, – theksoi Albion Ademi për mediat finlandeze, – na bëri që të kërkonim medoemos fitoren ndaj Uellsit. Ndoshta për këtë arsye, nga 6 zëvendësimet që mund të bëheshin, Panuçi ka kryer vetëm dy. Megjithatë, besoj se në ndeshjet e tjera do të debutoj. Kur më thanë se më kërkon Panuçi, nuk mund t’i rezistoja ftesës.”
“Jam rritur duke ndjekur ndeshjet e Kombëtares dhe gjithmonë bëja tifo për kuqezinjtë, – vijon rrëfimin e tij 19-vjeçari. – Gjithmonë e kam pasur ëndërr të luaja për Shqipërinë dhe bëra një zgjedhje me zemër. Ishte një ndjesi fantastike të qëndrosh i grumbulluar me lojtarët e tjerë.”