AlbanianSport.com 13.09.2015 21:10
Amir Abrashi dhe Ledian Memushaj kthehen me gola të rëndësishëm pas impenjimit me Kombëtaren. Duhet të priste, por, më në fund, Amir Abrashi, gjen golin e parë me Frajburgun. Mesfushori kuqezi ishte protagonist në fitoren 2-0 të skuadrës së tij në fushën e Kaizerslauternit për javën e 6-të të Bundesligës së dytë gjermane.
Abrashi i dha epërsinë Frajburgut në minutën e 72-të të ndeshjes. Për të vulosur suksesin e miqve, Petersen dyfishoi rezultatin vetëm tre minuta nga përfundimi i kohës së rregullt. Kjo ishte fitorja e 5-të për Frajburgun në 6 javët e para të sezonit të Bundesligës 2.
Kjo fitore e konfirmon këtë skuadër si pretendente për t’u ngjitur sërish në kampionatin elitar të futbollit në gjermani. Kthehet me gol edhe Ledian Memushaj. Futbollisti tjetër i përfaqësueses shqiptare realizoi në fitoren 2-1 të Peskarës kundër Peruxhias në Serinë B të kampionatit italian të futbollit. Memushaj, i cili qëndroi jashtë në sfidën e parë të sezonit për shkak të një dëmtimi, i kaloi vendasit në epërsi në minutën e 30-të.
Specialist në goditjet e 11-metërshave mesfushori, teksa goli i tij mbylli pjesën e parë të ndeshjes. Golat e Abrashit dhe Memushajt janë një sinjal i rëndësishëm edhe për kombëtaren shqiptare në prag të dy ndeshjeve vendimtare të muajit tetor në kuadër të Eliminatoreve të “Euro 2016”.