AlbanianSport.com 16/12/2018 21:10
ASNN – Abazaj e bën “sefte” në kampionatin belg, 21 minuta pa lënë gjurmë për “kristalin” shqiptar. Më në fund i erdhi momenti Kristal Abazajt në kampionatin belg. Ai luajti të dielën për 21 minuta me ekipin e Anderlehtit, në duelin si udhëtues përballë Sersle Bryzhit. Kjo e fundit fitoi me rezultatin 2-1, edhe pse në pjesën e dytë luajti me një lojtar më pak.
“Kristali” shqiptar u angazhua në fushë në minutën e 69-të, me idenë që mund të ndihmonte skuadrën në fazën sulmuese. Ai u aktivizua në krahun e djathtë të sulmit, pasi dihet që ky është pozicioni natyral i tij. Në fakt, lojtari kuqezi nuk ka gjurmë në këtë ndeshje. Preku shumë pak herë topin dhe nuk mori pasime ideale për të bërë ndonjë gjë pozitive për ekipin e tij.
Kontakti i paktë i tij me topin solli për pasojë që Abazaj të mos krijojë raste shënimi, duke mos e ndihmuar ekipin të dilte me pikë nga kjo ndeshje. Sidoqoftë, pozitive është që pas 18 ndeshjesh në kampionatin belg Kristal Abazaj më në fund u kthye të luajë në fushë, qoftë dhe për pak minuta sikurse ndodhi sot. Ai ka luajtur shumicën e kohës me të rinjtë e Anderlehtit.
Dhe ishin golat e para pak ditëve me ekipin e të rinjve që sollën afrimin tek ekipi i parë. pavarsisht se Anderlehti humbi, Abazaj të paktën e bëri “sefte” me ato 21 minuta lojë në fushë, një shenjë që tani e tutje mund të jetë fatsjellëse për ish-futbollistin e Luftëtarit në Kategorinë Superiore të Shqipërisë.