AlbanianSport.com 06/01/2019 21:15
ASNN – Vetëm 3 futbollistë raportohet se kanë më shumë minuta në këmbët e tyre të luajtura në Serinë A të këtij sezoni sesa Thomas Strakosha i Shqipërisë. Janë dy mbrojtës dhe një portier dhe kjo falë minutave shtesë që kanë akorduar gjyqtarët, në të kundërt, “gardiani” kuqezi është padyshim një lojtar me peshë të padiskutueshme jo vetëm në radhët e Lacios, por në krejt kampionatin italian.
Lojtari me më shumë minuta në Serinë A të këtij sezoni është portieri Alesio Kranjo i Kaljarit, i cili ka luajtur 1852 minuta në fushën e lojës. Pas tij është mbrojtësi Nikolas N’Kulu i Torinos, me 1850 minuta dhe i treti është mbrojtësi i Xhenoas, Davide Biraski, me 1840 minuta. Fill pas tyre vjen Thomas Strakosha me 1835 minuta, shifra vërtet domethënëse, për më tepër për një lojtar të ri.
Janë statistika të servirura nga “Panini Digital”, që ka mbledhur të dhënat e gjithë skuadrave të elitës së futbollit italian dhe ku Strakosha është lojtari i 4-t më i aktivizuar në kampionatin e këtij sezoni. Po kaq minuta sa Strakosha ka edhe Donaruma i Milanit. Këto statistika konfirmojnë se Strakosha është një emër i spikatur i Lacios, një lojtar me peshë, një lider e njëherësh një element që e ka vendin vetëm në formacionin titullar.
Sa i takon Kombëtares, Strakosha është padiskutim në listën e të ftuarve të trajnerit Kristian Panuçi, por rivaliteti i tij me Etrit Berishën është mjaft i fortë. Shpesh diferencën nuk e bëjnë minutat që kanë në këmbë, por gjendja e momentit, eksperienca dhe harmonizimi i elementëve. Berisha ka përvojë më shumë, pavarësisht se Strakosha ka më shumë minutazh në këmbë.
Sidoqoftë, rivaliteti midis tyre në Kombëtare do të shpërfaqet më fort kur të vijë momenti i grumbullimit dhe i zhvillimit të ndeshjeve eliminatore në kuadër të Kampionatit Evropian të vitit 2020.