AlbanianSport.com 19.04.2016 11:15
ASNN – E përditshmja prestigjioze gjermane, “Bild” ka sjellë një fakt interesant për lojtarin e Kombëtares kuqezi, Amir Abrashi, i cili del se është futbollisti që ka vrapuar më shumë kilometra në Bundesligën e 2-të të Gjermanisë.
Në 28 ndeshje të zhvilluara deri më tani, 26-vjeçari ka vrapuar një total mbresëlënës prej 331 kilometra apo rreth 12 kilometra për ndeshje. “Maratonisti” Abrashi, siç e quajnë në Gjermani, ka thënë se vrapimi ka të bëjë me mendësinë e tij dhe të familjes.
“Kjo ka të bëjë me mendësinë tonë, – ka thënë Abrashi për “Bild”-in. – Babai im më ka mësuar që kurrë të mos dorëzohem. Atëherë, me tri vajza të vogla është shpërngulur nga Kosova në Zvicër dhe ka filluar një jetë të re.”
Vetë Abrashi është lindur në Zvicër. Në 28 paraqitje me Fraiburgun këtë sezon, ish-futbollisti i përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Zvicrës ka kontribuar me tri gola dhe dy asistime. Por ajo që shquhet është vrapimi. I pyetur se a e sheh Fraiburgun si trampolinë për të kaluar në ndonjë skuadër tjetër, ai është përgjigjur se mund ta mendojë veten duke luajtur në këtë skuadër edhe për 10 vjet të tjerë.