AlbanianSport.com 12.08.2015 08:45
ASNN – Legjenda e Bajernit të Mynihut, Stefan Efenberg, ka e kritikuar ashpër Xherdan Shaqirin, për vendimin që futbollisti kosovar i përfaqësueses zvicerane mori për të kaluar tek Stouk Siti. Shaqiri e finalizoi të martën kalimin e tij tek klubi i Premier Ligës Angleze, në një transaksion prej 12 milionë stërlinash (17 milionë Eurosh), që e zhvendosi atë nga skuadra italiane e Interit, në Stadiumin “Britania”. 23-vjeçari ishte dhënë hua nga Bajerni i Mynihut tek Interi në janar të këtij viti dhe ishte përfolur për një interesim të Borusias së Dortmundit dhe Shalke 04-s.
Por ai zgjodhi në vend të tyre t’i bashkohej Stoukut të drejtuar nga trajneri uellsian, Mark Hjuxhs. Dhe, ndërkohë që tifozët e Stoukut janë në “qiellin e shtatë” për blerjen më të bujshme dhe më të shtrenjtë të klubit, ish-mesfushorin e Bajernit, Efenberg, nuk bind aspak vendimi i Shaqirit, duke deklaruar se kosovari zgjodhi Premier Ligën Angleze për arsye financiare. “Unë nuk arrij ta kuptoj fare vendimin e Shaqirit për të kaluar tek Stouk Siti, sepse duhet të të kenë këshilluar keq nëse shkon atje, – ka deklaruar Efenbergu për rrjetin informativ, “Sky”.
“Duhet të pyesësh veten se ku mund t’i arrish synimet e tua sportive si futbollist dhe kjo duhet të jetë sfida e vërtetë, – ka vijuar legjendari. – Shalke 04-ra do të kishte qenë e përkryer për Shaqirin. Fakti që fiton 1 milionë Euro (710,000 stërlina angleze) apo më pak, nuk duhet të dalë në plan të parë. Kur fiton 6 milionë Euro (4.2 milionë stërlina) tek Stouk apo 3 milionë Euro (2.1 milionë stërlina angleze) te Shalke 04-ra, ti zgjedh këtë të fundit. Luan futboll në Bundesligë, në një stadium të madh, të plotësohet dëshira për t’u rikthyer në Gjermani e për të luajtur në një klub të madh që të ndihmon të bësh përpara.”
“Por, tek Stouk Siti? Ju lutem… unë nuk e kuptoj as lojtarin, as agjentin e tij, as prindërit dhe as vëllain. Ky është një turp dhe një gjende e mjeruar. Thjesht sepse ata të hedhin ca para? Është paraja gjithçka për futbollistët në ditët e sotme?” – përfundon legjenda e Bajernit të Mynihut, Stefan Efenberg