AlbanianSport.com 11.03.2016 16:15
ASNN – Dy yjet e basketbollit amerikan, LëBron Xhejms dhe Kobi Brajënt kanë luajtur mbrëmjen e enjten ndeshjen e fundit midis tyre. Kjo sepse Brajënt në fund të kampionatit do të largohet nga skuadra e Los Anxheles Lejkërs dhe nga basketbolli i luajtur.
Në skenën e NBA-së janë shfaqur të enjten në mbrëmje aktin e fundit të një historie që nuk do të përsëritet më. Në parket kanë zbritur Kobi Brajënt dhe LëBron Xhejms, kundër njëri-tjetrit. Në ndeshjen e fundit zyrtare të dy yjeve të kampionatit amerikan të basketbollit, Lejkërs ka luajtur kundër Klivlend Kavaliirs.
Kobi Brajant ka patur kënaqësinë të mundë kundërshtarin e tij, përsa i përket pikëve personale të shënuara 26-24. Por LëBron Xhejms me skuadrën e tij , i ka mundur Lejkërsat 120-108. Në fund të ndeshjes, dy yjet e basketbollit amerikan nuk i kanë kursyer komplimentet për njëri-tjetrin.
“Do të doja të luaja kundër Kobit çdo natë”, – ka thënë Xhejmsi. Ndërsa Brajant i është përgjigjur: “Është gjithnjë kënaqësi të luash kundër tij. Është gjigand”. Kjo ka qenë ndeshja e fundit midis dy basketbollistëve, pasi Kobi Brajënt ka vendosur t’i japë lamtumirën basketbollit në fund të kampionatit të NBA-së.