AlbanianSport.com 15/01/2019 20:15
ASNN – Gara e “Dakarit 2019”, pas një dite pushim rifilloi me emocionet e etapës së 6-të. 74% e konkurrentëve arritën deri në gjysmë të rrugës, përqindja më e ulët kjo që nga viti 2007. 105 motorë, 9 makina, 32 kamionë kanë qenë në nisje në mëngjes për të përshkuar 838 km mbi terren kryesisht ranor, faza më e gjatë e edicionit të këtij viti. Në kategorinë e makinave, Sébastien Lëbi siguroi fitoren e 3-të, por nuk arriti të kalojë në renditjen e përgjithshme, kryesuesin e saj, Naser Al-Atijah.
Ky i fundit, së bashku me kampionin në fuqi, Karlos Sainzin, e mbyllën garën përkatësisht në vendin e dytë e të tretë. Piloti nga Katari ruan epërsinë prej 37 minutash e 43 sekondash ndaj francezit Lëb. Ndërsa Stéfan Peterhansel dhe Siri Deprè ndodhen përkatësisht në vendin e 3-të dhe të 5-të. 9 herë kampioni i Rellit, Lëbi, tregon për garën: “Shkuam mirë, por bëmë edhe gabime. Edhe Naseri bëri të njëjtin gabim, kështu që të dy humbëm dy minuta. Kaluam në një gropë, të cilën mezi e shmangëm.”
“Sidoqoftë, jam shumë i lumtur që arritëm ta përfundojmë garën, – ka vijuar francezi. -Edicioni nuk ka mbaruar akoma, ka shumë etapa për t’u bërë”. Etapa e 7-të do të vazhdojë të qëndrojë në San Huan de Markona, me 64 km malore, e pasur nga 323 km garë. Në kategorinë e motorëve, britaniku Sem Sandërlend me “KTM” firmosi një tjetër fitore në garën e “Dakarit 2019”. Kjo etapë ka qenë në formë rrethore, 387 kilometra e gjatë, me fillimi dhe mbarim në San Huan de Markona.
Sandërlendi ka lënë pas Kornejon me “Honda” dhe Riki Bradekun, po me “Honda”. Piloti britanik e përfundoi këtë etapë me kohën 51 minuta e 41 sekonda.