Gjergj Vyshka 04.02.2017 07:55
Elton Tukseferi, 41 vjeç me një karrierë 20 vjeçare në volejbollin shqiptar, me 12 tituj kampion (dy me Tiranën dhe 10 me Studentin), 11 Kupa të Shqipërisë (1 me Tiranën dhe 10 me Studentin) dhe shumë trofe të tjerë, dje zyrtarisht e ka mbyllur karrierën si lojtar. Ka zgjedhur Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, sepse atje e ka nisur volejbollin si ish-lojtar i Tiranës për të kontribuar më pas jo vetëm për Studentin, por dhe për Dinamon e përsëri për Tiranën. Dhe për të tufa me lule, fanella, Mirënjohje e Kupa, sepse është një legjendë e pas-viteve 1990 në volejbollin shqiptar. Pa harruar kontributin në ekipin kombëtar për të cilin presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, së bashku me sekretarin e përgjithshëm Albens Vokopola do ta vlerësonte me “Mirënjohje”. Sikurse do të bënte në emrin e Tiranës, trajneri Ilo Koja e Kasemi, apo dhe Partizani me anë të sekretarit të klubit shumësportësh, Shkëlqim Muça. Një mirënjohje e veçantë ka ardhur nga trajneri i Partizanit, Ylli Tomorri, më pas një tufë me lule dhe një kupë nga ekipi. Dhe Tukseferi është në krahët e të gjithë lojtarëve të Partizanit me shumicën e të cilëve ka kaluar karrierën e tij si lojtar. Për ta mbyllur është luajtur dhe aksioni i parë i ndeshjes nën organizimin e Tukseferit, që gjithsesi nuk ka vendosur të largohet përfundimisht, sepse sot është zëvendëstrajneri i Partizanit.