AlbanianSport.com 23/04/2019 22:35
ASNN – Kupa e Gjermanisë ka njohur finalisten e parë të saj, që është skuadra e Lajpcigut, e cila mundi të martën në gjysmëfinale, Hamburgun me shifrat 3-1. Kjo sfidë gjysmëfinale, e cila, sikundër i gjithë ky sezon, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka nisur më mirë për skuadrën mike, dhe Lajpcigu do të kalojë pas vetëm 11-minutash lojë, me anë të Polsenit.
Ky i fundit, pasi është bllokuar fillimisht në goditje brenda zone, vijon të korrigjojë shënjestrën dhe me një goditje me kokë brenda zone, përshëndet rrjetën. Goli i ka tulatur vendasit dhe Hamburgu rrezikon të pësojë një tjetër gol 4 minuta më pas, por në mënyrë të pabesueshme, shtylla e majtë bëhet në dy raste të njëpasnjëshme shpëtimtare e portës.
Hamburg shpëton dhe, sikundër ndodh gjithmonë në futboll, paaftësia për të shënuar shndërrohet në pësim, pasi në minutën e 23-të, Hamburgu gjen golin e barazimit, që erdhi në fakt nga një gabim i pafalshëm i Kemplit. Pavarsisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, që duhet thënë se nuk kanë munguar dhe kanë edhe të mira, por pa u shndërruar dot në gol, do të mbyllet pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, janë sërish miqtë që kalojnë sërish në epërsi, me një autogol të Janjiçiçit në minutën e 53-të. 18 minuta para fundit, Forsberg do të gjejë edhe golin e 3-të për Lajpcigun, me një goditje të beftë nga jashtë zone. Lajpcigu fiton kështu 3-1, dhe siguron të parën finale të Kupës së Gjermanisë.