AlbanianSport.com 26/06/2020 20:40
ASNN – Një triumf i dyfishtë për të kurorëzuar një përvjetor shekullor. Duket se ku është synimi i Tiranës, e cila ka mësuar të premten kundërshtarin e radhës në Kupën e Shqipërisë, aty ku në gjysmëfinale do të përballet me skuadrën më pak të kuotuar Bylisin. Drejtori sportiv, Arbi Laçi, deklaroi pas hedhjes së shortit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë se do të jetë një mrekulli nëse bardheblutë fitojnë të dyja trofetë këtë vit jubilar të 100-vjetorit të themelimit të SK Tiranës.
Duke folur për mediat, zyrtari i 24-herë kampionëve të Shqipërisë u shpreh se do të ishte më mirë që ky tur të zhvillohej me një ndeshje. “Do të ishte e ngjashme dhe me dy skuadrat e tjera, që kanë ecuri të mirë, – ka deklaruar ai. – Nuk jemi as të kënaqur, as të mërzitur. Besoj se ishte short i mirë. Ndeshjen e parë e kemi jashtë. Objektivat janë të dyja. Kampionati është objektiv madhor për ne, por dhe Kupa nuk mbetet pas. Do të ishte mrekulli t’i fitonim të dyja në këtë vit jubilar.”
Sipas kalendarit, takimet e para do të zhvillohen në datën 2 korrik, kurse akti i dytë luhet në 15 korrik 2020. “Do të ishte më mirë me ndeshje teke sepse nuk do të ndikonte fare faktori fushë, – ka deklaruar Laçi. – Megjithatë, kështu është vendosur nga klubet. Do të luhet kështu dhe do të vazhdojë kështu, le të fitojë më i miri.” Finalja e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet më 2 gusht, ndërsa fituese në fuqi e këtij trofeu është skuadra e Kukësit.