AlbanianSport.com 25.01.2015 15:55
ASNN – Pas 3 ndeshjeve të para të luajtura të shtunën, Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtartë Futbollit ka vijuar sot me dy ndeshjet e fundit të javës së saj të 19-të. Duke nisur nga ora 14:00, Laçi ka pritur në fushën e vet Partizanin, ndërsa duke nisur nga ora 17:00, Skënderbeu është mysafir në “Elbasan Arena” për t’u ndeshur me skuadrën vendase.
Takimi i zhvilluar në Laç ka përfunduar në barazim 1-1, në atë që ishte në fakt një përsëritje e përballjes së parë të këtij sezoni midis vendasve dhe Partizanit. Laçjanët kanë kaluar në epërsi që në minutën e 8-të, por të kuqtë kryeqytetas kanë barazuar shifrat në pjesën e dytë. Vendasit kanë shkuar dëm edhe një 11-metërsh në minutat e fundit të takimit.
Në ndeshjet e së shtunës, Tirana ka mposhtur në kryeqytet Apoloninë me rezultatin 2-0, me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje. Kukësi ka mundur në Shkodër Vllazninë me shifrat 2-1, ndërsa me të njëjtin rezultat, Flamurtari ka fituar në fushën e vet ndaj Teutës. Ky takim është përfshirë nga polemikat dhe aludimet për lëshim nga ana e skuadrës durrsake.
Kukësi vazhdon të kryesojë renditjen me 41 pikë, 3 më tepër sesa Tirana, ndërsa Partizani mban vendin e 3-të me 37 pikë, dhe Skënderbeun të 4-tin, me nga 36 pikë.