AlbanianSport.com 26/11/2017 13:25
ASNN – Laçi-Kukësi ishte një sfidë që vërtet dhuroi vetëm një gol, atë të miqve, por, në anë tjetër, dhuroi vetëm emocione dhe drithërima dhe një ritëm të jashtëzakonshëm. Por kjo ndeshje u njollos nga disa episode që nuk kanë lidhje me futbollin. Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, por të tilla episode në dy javët e para të fazës së dytë, teksa është për t’u luajtur edhe afro 70 % e këtij sezoni, janë një këmbanë që duhet dëgjuar nga ata që kanë veshë…
Është për të ardhur keq sesi ajo që ishte padyshim një nga sfidat më të bukura të këtyre 12 javë të këtij sezoni të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të futbollit, Kategorisë Superiore, u njollos nga disa episode që nuk kanë lidhje me futbollin. Laçi-Kukësi ishte një sfidë që vërtet dhuroi vetëm një gol, atë të miqve që në minutën e 4-t, por në 86 minutat e tjera të kohës së rregullt dhe më 4-5 minutat e tjera shtesë të dhëna për çdo pjesë loje, dhuroi vetëm emocione dhe drithërima dhe një ritëm të jashtëzakonshëm.
Por, përtej gjithë kësaj, gjithçka në fushën e blertë u zhvilluar në frymën e lojës së ndershme dhe respektit të ndërsjellë. Megjithatë, është për të ardhur keq që, jashtë fushës së blertë, nuk ndodhi kështu. Fillimisht kanë qenë tifozët kurbinas ata që kanë goditur në pjesën e parë lojtarin e Kukësit, Bujar Idrizi, si dhe në pjesën e dytë një tjetër lojtar të verilindorëve, brazilianin Elton Kale. Pamjet televizive tregojnë qartë çakmakët e hedhur në drejtim të dy futbollistëve miq nga tifozët vendas. Ajo që nuk u pa në transmetimet e drejtpërdrejta, sepse ndodhi në përfundim të ndeshjes, ishte goditja me gur e futbollistit Albi Alla.
Po kështu, dy prej tifozëve të paktë vendas që kishin “guxuar” të ishin të pranishëm në stadium, janë goditur me sende të forta pas përfundimit të ndeshjes dhe u është dhënë ndihma e parë nga stafi mjekësor i Kukësit në dhomat e zhveshjeve. Klubi i Kukësit ka dënuar gjithashtu edhe arrestimin e dy tifozëve miq nga policia lokale, duke theksuar se “është paradoksale të ndalohen viktimat dhe jo agresorët”. Në deklaratën për shtyp, ku dënonte ashpër dhunën në Laç dhe gjykimin e ndeshjes, klubit verilindor deklaron se vendosi vijimin e lojës.
Edhe pse pohon se u shqyrtua edhe alternative që të tërhiqej ekipi nga fusha e lojës, pas goditjeve të Idrizit dhe Kalesë. “Klubi disponon gjithë fotot dhe pamjet e kësaj dhune dhe do t’i dërgojë në instancat përkatëse në FSHF, – shkruhet në deklaratën e kampionëve në fuqi të Shqipërisë, që më tej vijon: “Të gjitha shqetësimet tona ia kemi paraqitur dhe të deleguarit të FSHF-së. Theksojmë se nuk është hera e parë që gjatë ndeshjeve në Laç , ekipi ynë vihet përpara problemeve të tilla që cënojnë jo vetëm rregulloren e futbollit, por rrezikojnë seriozisht jetën e lojtarëve, stafit dhe tifozëve tanë.”