Gjergj Vyshka 09.02.2015 07:55
ASNN – Laçi është kthyer në një skuadër rekordesh, ndërsa dje ka arritur fitoren e gjashtë radhazi të sezonit. Dhe viktima e radhës e kurbinasve ka qenë Elbasani, që tashmë krejtësisht i dorëzuar është duke menduar për promovimin e të rinjve, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Në fakt, takimi i luajtur dje në Kamëz ka qenë në një farë mënyre mediokër. Për 30 minuta nuk është regjistruar asnjë gjuajtje në portë, ndërsa të dy skuadrat bënin të njëjtën mënyrë.
Pasime të shumta, topa të kthyer mbrapa në mbrojtje e që me vështirësi vinin në sulm. Laçi ka qenë më tepër në zotërim të topit, por nuk ka gjetur hapësirat e duhura për të rrezikuar në portën e Elbasanit. Dhe qetësinë e kësaj loje, që dukej se do ta çonte pjesën e parë në një barazim pa gola, e ka prishur goli i Adenjijit, i cili nuk ka pasur shqetësimin e askënd për të shënuar në portën verdheblu. Sepse katër mbrojtës ia kanë lënë njëri-tjetrit se kush duhet t’ia hiqte topin nga kontrolli nigerianit.
Pas golit kurbinasit kanë qenë shumë pranë golit të dytë. Madje në minutën e 40-të, pas pasimit të saktë të Adenjijit, Meto ka bërë më të vështirën, ndërsa ka gjuajtur jashtë teksa ishte i vetëm me portierin Ruçi. Në të 44-n minutë, Mitraj është ndalur nga pritja e dyfishtë e Ruçit, kurse në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Çela sërish prej mbrojtësit të katërkëndorit verdheblu nuk e ka pasur fatin të jetë shënues. Pjesa e dytë është më e pasur në raste, sepse si Elbasani, ashtu dhe Laçi kanë kërkuar të shënojnë.
Në minutën e 49-të, pas gjuajtjes së Sulajt, Buljan largon rrezikun. Kundërpërgjigjet Meto për Laçin në të 61-n minutë dhe më pas tenton dhe Jotsha në të 66-tën. Dhe vetëm pasi Laçi ka fituar 11-metërshin, që e la Elbasanin me 10 futbollistë, ka ardhur dhe goli i qetësisë, që mban firmën e Shetës. Deri në përfundim të ndeshjes ka vetëm gjuajtje jashtë kuadratit të portave përkatëse, ndërsa kështu Laçi firmos fitoren e gjashtë radhazi duke tentuar tashmë të hyjë në 4 më të mirat e kampionatit.
Elbasani – Laçi 0-2
Shënues: Adenjiji 30’, Sheta 76’(11-m.)
Elbasani: Ruçi, Hila, Musta, Dosti, Toçi (Lleshi 46’), Agboui, Kaçuli, Sulaj (Myftarago 75’), Lamçja, Luta (Jontsha 58’), Duka. Trajner: M. Dosti
Laçi: Vujadinoviç, Zefi, Çela, Buljan, Sheta, Mustafa, Veliaj (Nimani 78’), Adenjiji (Soza 72’), Mitraj (Haliti 80’), Meto, Sefgjinaj. Trajner: A. Cungu
Gjyqtarë: B. Pashaj (Tiranë), P. Puto, G. Bimi (Gjirokastër)
Kartonë të verdhë: Hila, Lleshi
Karton i kuq: Ruçi
Minutat e golave:
30’ Goditje dënimi për Laçin në të majtë të sulmit kurbinas, ka krosuar Meto, Buljan me kokë e ka hedhur topin tek Adenjiji, i cili pak metra larg portierit Ruçi, mes katër mbrojtësve elbasanas, të cilët nuk janë në gjendje që t’ia heqin topin nga kontrolli, ka gjuajtur dhe ka shënuar. (0-1)
73’-76’ I sapofuturi në lojë, argjentinasi Rafael Soza, pas kombinimit me Mitrajn, ka dalë i vetëm me portierin Ruçi, e ka shmangur dhe të, por teksa i drejtohej portës së boshatisur është penguar nga pas prej portierit elbasanas. Për gjyqtarin Pashaj, 11-metërsh për Laçin dhe karton i kuq për Ruçin. Dhe nga pika e bardhë e 11-metërshit ka gjuajtur qendërmbrojtësi Sheta, i cili ka shënuar në të majtë të portierit rezervë, Myftaragos.