AlbanianSport.com 17/03/2021 18:35
ASNN – Trajneri i kurbinasve, Shpëtim Duro, u shpreh se është i lumtur për kualifikimin pas ngadhënjimit nga pika e bardhë e 11-metërshave ndaj Partizanit, por e shqetësojnë dëmtimet e skuadrës së tij. “Parashikohej që të ishte një ndeshje e vështirë. Ishin dy skuadrat që janë më mirë momentalisht në kampionat”, – tha ai, duke folur pas përfundimit të duelit çerekfinal.
“Sherri? Tek 11-metërshat ishte shumë mirë, gjatë lojës nuk kishte shumë punë, – ka vijuar 61-vjeçari. – Është një portier shumë i mirë, por ka probleme psikologjike. Është një portier që ka presion. Momenti i vështirë psikologjik ndikon edhe në lojë. Edhe para dy vjetësh jam kualifikuar në gjysmëfinale ndaj Partizanit. Edhe këtë vit kemi një bilanc shumë të mirë dhe pozitiv. Ky është një kualifikim dhe për Laçin është pozitive që jemi në gjysmëfinale. Jam i gëzuar për kualifikimin, por më shqetësojnë dëmtimet e skuadrës.
“Nuabueze ishte stërvitur, por nuk luante prej kohësh, – ka vijuar kryeqytetasi i stolit të kurbinas. – Mazrekaj nuk ishte në maksimum. Kemi pasur një kampionat me shumë mungesa dhe këto ndikojnë në ndeshje. Finalja ishte një objektiv deri në momentin e fundit. Edhe Kërçiku ishte një ndërrim i detyruar, kërkoi zëvendësimin. Kemi qenë të kushtëzuar në zgjedhje. Në fund të 90 minutave, Partizani na hapi probleme. Këto janë ndeshje që mbahet mend kualifikimi dhe jo loja”, – ka përfunduar trajneri i Laçit, Shpëtim Duro.