AlbanianSport.com 10/12/2018 17:30
ASNN – Valsi i stolave të Kategorisë Superiore vazhdon dhe ndërrimi më i fundit është ai i Laçit. Skuadra kurbinase pritet që të rikthejë Besnik Prengën në drejtim, trajnerin që e udhëhoqi Laçin në pjesëmarrjen në turet eliminatore të Ligës së Evropës. Skuadra e Laçit do të ndryshojë sërish trajner dhe duket se skuadra kurbinase do të rikthehet tek Besnik Prenga, i cili e pati drejtuar ekipin gjatë tureve eliminatore të Ligës së Evropës në verë.
Në fakt, pas largimit të Prengës, drejtimin e skuadrës e mori Artan Merxhushi, i cili e udhëhoqi atë drejt 8 javëve pas njohur humbjen. Por dy humbje radhazi në shtëpi përballë Teutës dhe Kukësit çuan në largimin e trajnerit Merxhushi dhe zëvendësimin e tij me ndihmësin Migen Memelli. Ky i fundit e drejtoi skuadrën në 6 ndeshje, duke grumbulluar 10 pikë, pas 3 fitoresh, një barazimi dhe dy humbjesh. Por humbja në fundjavë me Flamurtarin në Vlorë çoi në largimin e tij.
Dhe duket se presidenti Pashk Laska e ka kthyer vëmendjen tek Besnik Prenga, trajneri që e udhëhoqi Laçin deri në turin e dytë eliminator të Ligës së Evropës, duke eliminuar qipriotët e Anothorsosit të Famagustës dhe duke u eliminuar përballë norvegjezëve të Moldes. Memelli ka konfirmuar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar se nuk ka ende ndonjë komunikim nga presidenca e klubit sa i përket trajnerit të ri, duke qenë se kurbinasit e kanë patur pushim të hënën, për shkak se luajtën të dielën.
Ndërsa vetë Prenga, ka pohuar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar se ka patur negociata me drejtuesit e Laçit dhe se do ta pranonte detyrën e trajnerit. Por ai ka sqaruar se deri në fund të vitit, pra, edhe 3 javë të tjera, është nën kontratë me Dinamon e Zagrebit dhe do të duhet që klubi kroat ta lërë të lirë që të marrë drejtimin e Laçit. Kjo është lëvizja e katërt e Laçit në stol, duke dëshmuar se sa të paqëndrueshëm janë në vendimmarrjet e tyre presidentët e Superiores.