AlbanianSport.com 04/05/2021 23:55
ASNN – Portieri i Laçit premton luftë deri në fund, vlerëson rivalet në betejën e kreut. Kategoria Superiore ka mbyllur të hënën javën e saj të 31-të dhe Laçi ishte një nga skuadrat që përfitoi nga rezultatet e 5 ndeshjeve të saj. I ftuar në Rubrikën Sportive në RTSH, gardiani shkodran i portës kurbinase, Alen Sherri, ka bërë një analizë të ecurisë së skuadrës së tij këtë sezon, por edhe të rivalëve në betejën e kreut. Laçi është rikthyer tek fitorja pas dy barazimesh radhazi, duke munudr Kukësin 2-0 dhe për portierin Alen Sherri, ishte një rezultat që erdhi në kohën e duhur.
“Ndeshja me Kukësin nuk ishte e lehtë, ashtu si çdo ndeshje tjetër në këtë sezon, – ka pohuar ai. – Kishim nevojë për këtë fitore, erdhi në momentin e duhur, por edhe rezultatet që dhuruan rivalët tanë e bënë edhe më të bukur. Kemi patur shumë mungesa, na kanë ndëshkuar gjatë gjithë kampionatit. Edhe ndeshjet kanë qenë të vështira së fundmi. Por e rëndësishme ëhstë që u rikthyem tek fitorja. Kukësi ka një sulm shumë të mirë. E nisëm me katër mbrojtës dhe nuk është se na shkoi shumë mirë. Në pjesën e dytë u vendosëm me pesë, duke eliminuar rastet e kundërshtarit.”
“Jemi munduar që në bazë të kundërshtarit të ndërtojmë dhe formacionin”, – ka shtuar gardiani shkodran i portës kurbinase, për të cilin, Partizani mbetet skuadra për t’u mundur. I ftuar në Rubrikën Sportive në RTSH, 23-vjeçari ka folur edhe për duelin midis Vllaznisë dhe Teutës. “Barazimi në Loro Boriçi? – e ka pranuar ai. – E kisha menduar edhe më parë se mund të dilte barazim, duke marrë në konsideratë forcën që përfaqësojnë dy skuadrat. Një rezultat i tillë na shkoi për shtat edhe ne.” Portieri i Laçit e ka vlerësuar sidoqoftë lart edhe skuadrën e vendlindjes së tij, Vllazninë, duke thënë: “Vllaznia është një skuadër e frikshme dhe këtë e ka treguar që nga fillimi i sezonit”.
Portieri i Laçit ka folur edhe për pjesën e mbetur të kampionatit dhe llogaritë: “Çdo ndeshje është e luftuar, duhet të luftojmë që të marrim pikët në ndeshjet e radhës dhe nuk do të jetë e lehtë, – ka pohuar Sherri. – Kampionati është ngjeshur shumë, sin ë fillim ashtu dhe në fund, nuk ka ndeshje të lehta. Paraqitja ime? Mendoj se nuk kam qenë aty ku kam menduar të jem, nuk jam shumë i kënaqur.” Laçi mban vendin e 4-t në renditje, me 53 pikë, vetëm 45 pikë pas Partizanit kryesues, kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në përfundim të sezonit.