AlbanianSport.com 09.05.2015 18:55
ASNN – Skuadrat kosovare kanë gjetur veten në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj (BIBL). Janë shndërruar në faktor të rëndësishëm të kësaj gare, por edhe shpenzimet nuk janë të mëdha, shkruan dje e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”.
Prandaj, edhe për sezonin tjetër, synim kryesor e kanë këtë garë, megjithëse Kosova është pranuar në FIBA dhe nga sezoni i ri ka të drejtë të përfaqësohet edhe në ndonjë veprimtari tjetër evropiane, si, për shembull, “EuroChallenge”. SIGAL Prishtina është shpallur para pak ditësh “kampione” e BIBL-së në sezonin e saj të dytë në këtë veprimtari.
Ndërkohë, Peja ka mbërritur në gjysmëfinale dhe nuk synon më shumë se BIBL-ja, për 3 arsye: ndihet konkurrente, shpenzimet janë të vogla dhe nuk turpërohet asnjëherë me ndonjë skuadër. Po ashtu edhe Prishtina ka synim BIBL-in, por zyrtarët e saj thonë se, me ndihmën e shtetit, mund të luajnë edhe në ndonjë veprimtari më të fortë evropiane.
Në fakt, ende nuk është e përcaktuar asgjë, as te klubet, as te Federata e madje as te FIBA Evropë. Më 16 dhe 17 maj 2015, FIBA do të votojë për formatin e ri të veprimtarive evropiane për klubet.