AlbanianSport.com 28/01/2019 21:30
ASNN – Në një intervistë për gazetën “SOT”, ikona e futbollit vlonjat dhe atij kombëtar, Sokol Kushta, thotë se futbolli shqiptar nuk ekziston, ai s’ka as bazat infrastrukturore e as organizimin e klubeve për të qenë i shëndetshëm. Kushta shtron disa pyetje të cilat mbeten pa përgjigje, sepse institucionet përkatëse dhe FSHF-ja janë vetëkënaqur pa bërë llogaritë ku i shpie kjo situatë. Dhe sipas Kushtës, situata është e rëndë, klubet kanë vetëm emrin dhe ka një paqartësi rreth të ardhmes që e bën të zymtë vazhdimësinë.
Duke filluar që sot, AlbanianSport.com po jua sjell këtë intervistë në 3 pjesë dhe sot është pjesa e parë.
…vijon nga dje
– Në Vlorë në fillim të sezonit flitet vazhdimisht për titull dhe kur arrihet mesi i sezonit flitet për mbijetesë. Një situatë e përsëritur me një nga klubet më të mëdha të vendit. Ju keni folur herë pas here për këto probleme, por deshëm qëndrimin tuaj për rastin e fundit. Ç’janë këto çudira?
– Unë nuk shoh më çudi në futbollin shqiptar. Dhe nuk ka si të bëjë përjashtim Flamurtari nga kjo gjendje që karakterizon futbollin shqiptar në tërësi. Edhe klubi i Flamurtarit është duke përjetuar ato pasoja që ne i përkufizojmë si të kapitalizmit të egër. Për cilin Flamurtar flisni ju? Flamurtarit i ka mbetur vetëm emri, ai emër që i lamë ne. Presidenti (i skuadrës) ka paguar, por ne në fakt nuk dimë kush paguan, kush nuk paguan, çfarë janë aksionet, kush i ka ato, si janë ndarë, pse janë ndarë. Shqetësimi nuk është tek emri, por tek fenomeni. Edhe klubet e tjera po vuajnë, nuk e shihni? Të gjithë vuajnë, sepse ka paqartësi rreth të ardhmes së klubeve, janë krijuar shoqëri aksionare e s’dimë kush është aksioneri, cilat janë aksionet e kush i disponon ato. Prandaj e mirëkuptoj dhe presidentin e skuadrës, ashtu sikurse kuptoj dhe lojtarët që duan të paguhen.
– Ju po e paraqisni situatën mjaft të pashpresë…
– Nuk është hera e parë që unë i rrok këto probleme. Unë kam vite që them që futbolli shqiptar nuk ekziston, se ai mbahet në këmbë me stimulantë. Duhet ta dini, futbolli shqiptar nuk jeton dot, sepse ai nuk ka asgjë, nuk ka pronën që është kryesorja. Po, po, unë e kam thënë dhe më parë që futbolli shqiptar nuk ekziston, sepse stadiumet prej vitesh ulërasin “u shit, u ble, u bë…”
– Ju jeni pozicionuar si kritik me zhvillimet në futbollin shqiptar dhe e vërteta është se futbolli ynë ka probleme. E megjithatë, pavarësisht situatës, duhet të ketë rrugëzgjidhje, apo jo?
– Të gjithë janë në dilemë do të bëhet apo s’do të bëhet. E kush na qenka ai “budalla” që jep 1 milion Euro në vit kur nuk ka për të fituar asgjë? Pse futbolli kështu është? Ne duhet të kuptojmë realitetin ku jemi, ta prekim atë, ndryshe nuk do të zgjidhim asgjë për shumë kohë. Një njeriu që investon i duhen krijuar lehtësirat, ca gjëra duhen parë me objektivitet. Ju po më thoni kritik, por unë pëlqej të them se jam realist. Unë e shoh realitetin dhe kush ka sy e sheh, ata që nuk duan ta shohin le të vazhdojnë kështu si e kanë nisur. Por ju siguroj që realiteti është i hidhur. Për sa kohë do të vazhdojë kështu do të kemi vetëm boshatisje stadiumesh, fenomene manipulimesh dhe raporte voluminoze të UEFA-s që na kujton trukimet e radhës.
Vijon nesër…