Adriatik Balla 06.09.2015 11:35
Barazimi i Shqipërisë ndaj Danimarkës në Kopenhagen, konfirmoi dhe një herë tjetër qëndrueshmërinë e skuadrës së De Biazit në ndeshjet e rëndësishme eliminatore dhe i hapi asaj rrugën për një kualifikim historik në Evropianin “Francë 2016”. Të gjendur në kuotën e 11 pikëve në 5 ndeshje, Shqipëria kurrë më parë nuk ka qenë kaq afër një kualifikimi historik në një eveniment të madh të futbollit kontinental.
Kështu mendon dhe një nga ikonat e futbollit shqiptar, ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares dhe Flamurtarit, Sokol Kushta, i cili e sheh barazimin ndaj Danimarkës si një sukses të rëndësishëm të përfaqësueses dhe natyrisht si një mundësi më shumë për t’u afruar me objektivin kualifikim, gjë që kjo skuadër po e realizon më së miri, të paktën deri tani.
Kushta analizon ecurinë e ndeshjes, rezultatin dhe paraqitjen në tërësi të kuqezinjve, pa harruar kundërshtarin, që sipas tij është mjaft i fortë dhe tepër i vështirë për t’u përballuar. Gjithsesi, barazimi e kënaq Kushtën, duke thënë se ekzistojnë shanset që të merret rezultat pozitiv edhe ndaj Portugalisë. Ai vlerëson me notë pozitive De Biazin për gjithçka bëri dhe e quan Kombëtaren si më të mirën e të gjitha kohërave.
Kushta nuk është dakord me kritikët, duke u kujtuar atyre ku ishim më parë dhe sa kemi arritur në këtë periudhë. Për të shanset e kualifikimit janë të hapura dhe ai shpreson që ky mision historik të përmbyllet me sukses këtë herë. AlbanianSport.com do t’ju sjellë sot dhe nesër, në dy pjesë intervistën që ish-sulmuesi i njohur i Flamurtarit dhe Kombëtares dha për të përditshmen shqiptare, “SOT”.
– Kombëtarja shënoi një tjetër rezultat pozitiv në Eliminatoret e Evropianit, pasi barazoi me Danimarkën. Pati vlerësime, por nuk munguan as kritikat, pasi ishim “mprehur” për fitore. Në këndvështrimin tuaj, si ishte loja e Kombëtares në tërësi, po rezultati?
– Unë ndaj Danimarkës kam luajtur dy herë, i kam provuar dhe përjetuar ndeshjet ndaj saj. Madje unë kam luajtur ndaj Danimarkës më të mirë të historisë, asaj që doli “kampione” e Evropës. Kohët kanë ndryshuar, natyrisht, loja ka ndryshuar gjithashtu. Danimarka e asaj periudhe ishte ekip shumë i fortë, ndërsa ne mezi gjenim fanellat. Ishin kohë të vështira për ne dhe përballë tyre ishin ndeshje shumë të vështira. Euforikët thonë gjithmonë do të fitojmë, është refren i tyre i vazhdueshëm, por unë jam me këmbë në tokë dhe e di se sa të vështira janë skuadra të tilla. Kombëtarja bëri maksimumin e saj dhe mori rezultat të mirë, ky është realiteti, kritikat nuk do të mungojnë, asnjëherë, pasi ne nuk e kemi kuptuar me sa duket se ku kemi qenë e ku jemi.
– Jo, jo, pragmatistët dhe në tërësi njerëzit e lidhur me ekipin dhe FSHF-në e kuptuan shumë mirë se barazimi ishte rezultat që favorizonte Kombëtaren, absolutisht…
– Pikërisht, po thosha që u përballëm me një skuadër të vështirë, shumë të fortë. Danimarka është skuadër nga më të vështirat, ka cilësi të mira, shpejtësi dhe forcë. Unë i pata çuar një mesazh Armandos (Dukës), ku i thosha që barazimi është shumë i mirë për ne, do të mjaftonte dhe nuk u zhgënjeva. Unë nuk e shaj kurrë Kombëtaren, se unë jam i lidhur me të. Nuk jam si disa që kur humbet ekipi bërtasin “ç’u bë kështu, pse vallë”, e hidhen e çirren se duan maksimumin. Pra harrojnë ku ishim dhe sa përparim ka bërë nën drejtimin e De Biazit. Kjo është Kombëtarja më e vendosur e të gjitha kohërave. Dakord, i mungojnë një ose dy talente që bëjnë diferencë. Ndoshta i mungon një Demollari, ose një Kushta, por kjo nuk e ka penguar këtë skuadër të shfaqë vlera, të jetë vetvetja dhe të bindë. Shumë gjëra kanë ndryshuar, për mirë sigurisht. Kur është fjala për mbrojtje, strategjia është e qartë. Unë pashë Lorikun (Canën) që nuk e kaloi kufirin e 16 metrave, lojtarët e tjerë të angazhuar maksimalisht dhe dëshirë të madhe të ekipit për të marrë rezultat pozitiv, se ky ishte qëllimi. Pra realiteti është ky: Kjo është Kombëtarja më e mirë dhe trajneri më i mirë i të gjitha kohërave.
– Ecuria e lojës ishte e tillë që në fund mund të ndahej me një gol, prandaj ishte një barazim dramatik. Loja jonë nuk ishte e bukur, por këtë e pranoi dhe vetë De Biazi. Ju çfarë mendimi keni?
– Danimarka është ekip tmerrësisht i fortë. Në pjesën e parë u habita të them të drejtën, pasi skuadra funksionoi mirë. Në pjesën e dytë pritej një përqendrim sulmi nga ana e danezëve dhe rreshtimi ynë në mbrojtje pritej gjithashtu. Dakord, ata dominuan në përqindjen e mbajtjes së topit, kishin më shumë gjuajtje në portë dhe raste të mira shënimi, por kjo, edhe pse është domethënëse, nuk lidhet domosdoshmërisht me rezultatin, se objektivi i çdo ekipi është rezultati dhe ai i shkoi për shtat ekipit tonë. Përfaqësuesja ka një objektiv të madh në këto eliminatore dhe loja mbrojtëse me qëllim marrjen e rezultatit të mirë është plotësisht e justifikuar. Edhe një herë, mos harrojmë ku ishim dhe sa kemi bërë me De Biazin.
– Duhet të pranojmë se De Biazi bëri goxha eksperiment këtë herë, me Gjimshitin si titullar për herë të parë, si dhe Ajetin, ndoshta i detyruar sepse në mbrojtje mungonin dy lojtarë të rëndësishëm si Mavraj e Hysaj. Nuk ishte i lehtë të merrej ky vendim apo jo?
– Mavraj është shtyllë e ekipit, një mbrojtës që jep siguri, absolutisht më i miri, por kur një ekip merr rezultat pozitiv, atëherë ai nuk gjykohet. Trajneri De Biazi e interpretoi mirë lojën. Në pjesën e dytë ai futi lojtarë në mesfushë që kanë tipare sulmuese. Mos harrojmë se mbrojtja fillon tek sulmi dhe e kundërta, është rregull në futboll. Në ndonjë moment pati dhe gabime, sigurisht, por e përgjithshmja është mirë, pozitive. Personalisht mendoj se ishte zgjedhja më e mirë e trajnerit. Pati guxim, por prodhoi siguri. Për mua meriton notën dhjetë dhe është e tepërt të kritikosh De Biazin në këtë moment pse futi në fushë këta tre lojtarë. Strategjia e një skuadre dhe një trajneri nuk është vetëm mbrojtja. Të gjithë dhanë maksimumin në fushë përballë një super-ekipi. Kjo më jep shumë besim dhe më emocionon. E përballoi kundërshtarin mjaft mirë dhe ne nuk duhet të hidhërohemi se në pjesën e dytë nuk bëmë gjë në sulm, apo që kundërshtari mbajti topin deri në 58%. Për ne kishte rëndësi rezultati dhe ia dolëm, sepse një pikë ndaj një ekipi si Danimarka, në një grup shumë të fortë ku ndodhemi ne, është shumë mirë.
Vijon nesër…