AlbanianSport.com 30.07.2015 22:30
ASNN – Ka rezultuar zhgënjyes starti i konkurrimit për kombëtaren shqiptare në Festivalin Evropian Olimpik që mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë. Në pishinën e hapur olimpike morën pjesë edhe notarët e përfaqësueses shqiptare.
Kevin Duraku në 100 metra bretkosë arriti kohën 1:22:33, por u skualifikua për shkak të një lëvizjeje të gabuar në start. Sipas organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare, KOKSH-it, Duraku e përfundoi garën me vështirësi për shkak të një dëmtimi në krah.
Ndërkohë pa histori ka qenë edhe përfaqësimi i Alesia Nezirit. Në garën e 100 metrave shpinë, Neziri realizoi kohën 1:17:34, duke u renditur kështu në vendin e 32-të nga 32 në total, pra e fundit.
Neziri vijon nesër konkurrimin e saj, këtë radhë në garën e 50 metrave stil i lirë, ndërsa Duraku është tërhequr nga gara e planifikuar sot në 200 metra bretkosë për shkak të dëmtimit.