AlbanianSport.com 28/11/2018 21:40
ASNN – Në qytetin e Korçës u luajtën sot tre takime futbolli me minutazh të reduktuar. Një aktivitet i përvitshëm që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe që ka emrin e bukur e kuptimplotë “Kupa Pavarësia”, për nder të festës së Flamurit. Në fakt, kjo veprimtari duhej të kishte më shumë ndikim në futbollin mbarëkombëtar dhe një pjesëmarrje më të gjerë.
Por ende pas kaq vitesh formati nuk lejon pjesëmarrjen e skuadrave më serioze, apo me formacion të plotë dhe nuk prodhon emocion e spektakël përveçse shoqërohet nga ngjyrat kuqezi të Flamurit Kombëtar. E për më tepër, ajo përfundon të luhet nëpër anekse stadiumesh, duke ia zhvlerësuar edhe më tej emrin dhe duke ulur edhe numrin e tifozëve.
Ashtu siç ka ndodhur çdo 28 nëntor gjatë viteve të fundit, edhe këtë herë u zhvillua Kupa “Pavarësia”, që në këtë edicion erdhi me pjesëmarrjen e Skënderbeut të Korçës, 2 Korrikut të Prishtinës, Otrantit të Ulqinit dhe Strugës në Maqedoni. Një trofe simbolik për nder të kësaj feste të madhe të shqiptarisë, por njëherësh edhe si simbol i bashkimit të sportit kombëtar.
Dhe në fund trofeu shkon për të dytin vit radhazi për ekipin e Strugës, e cila mundi në finale Otrantin e Ulqinit me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe ku vendimtar ishte Lloga. Duhet thënë se në gjysmëfinale Struga mundi Skënderbeun 1-0 me golin e Hajredinit, ndërsa Otranti mundi 2 Korrikun, pas goditjes së 11-metërshave.