AlbanianSport.com 13/03/2019 15:35
ASNN – 4 skuadra në kërkim të trofeut të Kupës së Shqipërisë, shansi i vetëm për të shkuar në Ligën e Evropës. Partizani, Kukësi dhe Teuta kanë shanse të shkojnë në kupat e Evropës edhe nga kampionati, pasi tre vendet e para në renditje e sigurojnë matematikisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve (vendi i parë) dhe Ligën e Evropës (vendi i dytë dhe i 3-të).
Skuadrat e tjera duken larg këtij objektivi, pavarësisht se Laçi, Skënderbeu dhe Flamurtari kanë shanse teorike ta arrijnë këtë objektiv në 11 javët e mbetura të garës. Por për të shkuar në Evropë është dhe një shans tjetër, rruga që të hap Kupa e Shqipërisë. Nga kjo veprimtari ka të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Evropës vetëm një skuadër, fituesja e saj.
Në garë deri tani janë 7 ekipe (duhej të ishin 8, por siç dihet Kamza është përjashtuar nga Komisioni i Disiplinës i FSHF-së pas akteve të dhunës 10 ditë më parë në duelin Kamza-Laçi, ku u dhunua gjyqtari Eldorian Hamiti). Nga këto 7 skuadra, vetëm njëra do t’ia dalë dhe duke pasur parasysh se në garë janë dhe tri skuadrat e para të renditjes në kampionat, i bie që për trofeun e kupës të interesohen më së shumti 4 skuadrat që nuk e kanë mundësinë të kapin Evropën nga Superiorja.
Kështu, Tirana, Skënderbeu, Laçi dhe Luftëtari, kanë një shans në Kupë që të përmbyllin me sukses sezonin, domethënë të realizojnë objektivin jo vetëm me pjesëmarrje në Evropë, por edhe me trofe sezonal, sepse Kupa e Shqipërisë është aktiviteti i dytë më i rëndësishëm fubtollistik sezonal në futbollin shqiptar. Në këto kushte, Tirana dhe Skënderbeu duken skuadra me staturë më të kompletuar.
Sidomos Skënderbeu, të cilin e ndihmoi fati, pasi kishte Kamzën kundërshtar dhe skuadra korçare i fiton të dy duelet çerekfinale me Kamzën në tavolinë me shifrat 3-0. Pra, Skënderbeu shkon në gjysmëfinale pa u djersitur fare, kështu që duhet të mendojë për një sforco në gjysmëfinale dhe finale për të shkuar tek trofeu. Një skuadër që mund të bëjë surprizën është padyshim edhe Luftëtari.
Duket e habitshme por nën drejtimin e trajnerit Julian Ahmataj kjo skuadër nuk njeh humbje, është ekipi më i qëndrueshëm dhe fitorja me përmbysje që i bëri Partizanit dëshmon se skuadra gjirokastrite mund të surprizojë në këtë veprimtari. Nëse arrin të shkojë në gjysmëfinale, Luftëtari do të bëjë maksimumin për ta fituar kupën, sepse kështu shkon sërish në Evropë.
E ndoshta shlyen edhe “njollën” e hetimeve që ka vënë për të UEFA pas skandalit të dyshuar për trukim në eliminimin nga Ventspils, ku pësoi në total në të dy ndeshjet 8 gola. Por nuk është vetëm Luftëtari, Laçi është skuadër e sprovuar në Kupë. Kurbinasit, nëse kalojnë këtë tur Tiranën, mund të konsiderohen si skuadër favorite. Laçi është një skuadër tipike për të nxjerrë më të mirën nga kapacitetet që ka.
Prandaj duhet marrë seriozisht, ndërsa vetë Tirana duket e destinuar të luajë të gjitha kartat e saj në kupë, pasi vetëm nga kupa mund të arrijë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës.