AlbanianSport.com 31/10/2018 07:00
ASNN – Kupa “Libertadores”, River Plejti përmbys Gremion, finalja duket se e afron me Boka Zhunjors. Kupa “Libertadores” në Amerikën e Jugut është homologe e Ligës së Kampioneve në Evropë. Në gjysmëfinalen e luajtur mbrëmë në Brazil, midis Gremios braziliane, e njëherësh kampion në fuqi i kupës, si dhe argjentinasve të River Plejtit pati jo vetëm spektakël e përmbysje, por edhe kartonë e tension sa u ndërpre për shumë minuta ndeshja dhe u desh ndërhyrja e trupave policore për të evituar një përshkallëzim të situatës.
River Plejti fitoi me përmbysje 2-1, duke u kualifikuar në finale dhe me shumë gjasë do të ndeshet me Boka Zhuniors, pasi skuadra tjetër argjentinase e ka fituar duelin e parë me Palmeirasin 2-0 në Argjentinë dhe dueli i kthimit duket i lehtë për të. Duke u kthyer tek ndeshja e mbrëmshme, duhet thënë se Gremio vinte si favorite, nisur nga fitorja e duelit të parë midis tyre 1-0. Për më tepër mbrëmë luante në fushën e saj. Madje Gremio shënoi e para në pjesën e parë me Leo Gomesh dhe u duk se do ta kishte të lehtë kalimin e gjysmëfinales.
Por nuk ndodhi kështu, River Plejt, me një kastë lojtarësh të shkëlqyer, diti të ushtrojë presion dhe në 10 minutat e fundit të ndeshjes e mposhti Gremion. Në fillim, pas një krosimi nga Piki Martinez, në zonë shënoi me kokë Rafael Santo Borre. Ky gol futi në panik të thellë Gremion dhe bëri të heshtë stadiumi. Kjo pasi River Plejt kishte paralajmëruar betejë deri në sekondën e fundit dhe po luante shumë mirë pavarësisht presionit të vendasve në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Por ankthi do të shtohej në minutën e 87-të, kur Breshan preku topin me dorë.
Dhe gjyqtari, pasi u konsultua me sistemin “VAR”, vendosi për 11-metërsh dhe dhënien e kartonit të kuq për lojtarin brazilian. Tension në fushë e në tribuna, sepse lojtari tentoi të godasë gjyqtarin. Menjëherë ndërhyri policia, por ndeshja u ndërpre për 14 minuta. Më pas, 11-metërshi u ekzekutua saktë nga Piti Martinez, i cili shënoi golin e epërsisë dhe të kualifikimit. Ndërkohë, në gjysmëfinalen tjetër, nëse Boka Zhunjors kalon Palmeirën, atëherë në finale e Kupës Libertadores do të kemi një duel derbi argjentinas, i ngjashëm me duelet më të mëdha derbi në Evropë.
Kur përplasen Boka dhe River, mund të quhet një “El Klasiko” e Amerikës Latine.