AlbanianSport.com 04/02/2020 22:40
ASNN – Eintrahti i Frankfurtit-Lajpcig 3-1, Verder Bremen-Borusia Dortmund 3-2, direkt në RTSH Sport. Kupa e Gjermanisë është një nga ekskluzivitetet sportive e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar. Dhe, në takimin e zhvilluar më herët, Eintrahti i Frankfurtit ka mundur 3-1 Lajpcigun, ndërsa takimi më i spikatur të turit të 16-shes, Verder Bremen-Borusia e Dortmundit, është mbyllur me shifrat 3-2.
Vijojnë transmetimet e veprimtarive madhore sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe transmetuesi publik ka sjellë të martën në mbrëmje takimin më të spikatur të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë, midis Verder Bremenit dhe Borusias së Dortmundit. Takimi i zhvilluar në “Veserstadion” ka qenë i baraspeshuar, por me vendësit më cinikë në lojën e tyre.
Dhe, goditja e Milot Rashicës në minutën e 16-të, nuk zotërohet siç duhet nga portieri mik dhe Selke nuk e ka të vështirë ta përcjellë topin në rrjetë, duke kaluar vendasit në epërsi. 14 minuta më pas, Verder Bremeni do të dyfishojë shifrat me atë në Bitenkurit. Me këtë epërsi dygolëshe do të mbyllen 45 minutat e para të takimit. Ato të dytat do të shohin Borusian më kërkuese në drejtim të portës kundërshtare.
Dhe, në minutën e 67-të, skuadra mike do ta shkurtojë hendekun e golave me anë të Halandit. Por shpresat e miqve do të goditen menjëherë 3 minuta pas, kur Rashica e shkruan më në fund emrin në listën e golashënuesve të kësaj ndeshjeje. Sidoqoftë, 12 minuta para fundit të kohës së rregullt, Dortmundi do ta mbajë ende shpresën gjallë, pasi 17-vjeçari Xhovani Rejna shënon në debutimin e tij.
Pavarsisht përpjekjeve të ethshme të Borusias së Dortmundit, Verder Bremeni mbahet dhe e mbron fitoren me shifrat 3-2 dhe, bashkë me të, edhe vendin në çerekfinale të Kupës së Gjermanisë.