AlbanianSport.com 05/05/2020 23:10
ASNN – Tanimë po flitet data konkrete për ndeshje të veçanta dhe kjo jep shpresë se futbolli po kthehet më në fund. Kështu, raportohet se ndeshjet e Kupës së Gjermanisë në futboll pritet të luhen në qershor. Dy përballet gjysmëfinale, ajo midis Bajernit të Mynihut dhe Eintrahtit të Frankfurtit dhe ajo midis Sa’arbrykenit dhe Bajer Leverkusenit, do të luhen përkatësisht 16 dhe 17 qershor. Ndërkohë finalja do të luhet në Berlin më 27 qershor 2020.
Ndërkohë, qeveria gjermane do të vendosë të mërkurën, nëse do të lejohet vazhdimi i kampionatit të Gjermanisë në futboll. Megjithatë, besohet se Bundesliga do ta marrë dritën jeshile për të rifilluar, sipas të gjitha gjasave, nga 15 maji, pasi qeveria gjermane pritet të zbusë edhe më tej masat kufizuese që ka vendosur për të luftuar koronavirusin.
Sipas burimeve të cilave u referohet agjencina e lajmeve “Reuters”, Bundesliga do të jetë e para nga pesë kampionatet e mëdha të futbollit në Evropë që do të rifillojë.
Siç dihet, epidemia e koronavirusit ka pezulluar sportin në pjesën më të madhe të botës që nga mesi i marsit. Landet gjermane pritet të pajtohen për një rifillim në një telekonferencë me kancelaren Angela Merkel të mërkurën, kanë njoftuar burimet në fjalë për “Reuters”. Ndeshjet do të luhen në kushte të rrepta dhe nuk do të ketë tifozë në stadiume. Deri më tani, Portugalia, Polonia dhe Hungaria kanë dhënë datat për rifillimin e ligave kombëtare, të gjitha nga fundi i majit.
Federata e Hungarisë ka njoftuar se do të rifillojë futbolli në vend më 23 maj. Klubet profesioniste të Gjermanisë në futboll kanë filluar stërvitjet që nga mesi i prillit. Stërvitjet po bëhen në grupe të vogla dhe nën masa të rrepta, ku përfshihen testime intensive të gjithë lojtarëve dhe stafit. Liga e Futbollit Gjerman (DFL) ka dorëzuar një protokoll të sigurisë për ndeshjet pa shikues, ku përfshihet testimi i vazhdueshëm i lojtarëve, por nuk planifikohet të futet në karantinë gjithë skuadra nëse ndonjëri del pozitiv.
Mirëpo, thuhet se nëse një lojtar infektohet, atëherë vendimet për masat do t’i marrin autoritetet shëndetësore vendase. Të hënën, DFL-ja ka njoftuar se ka regjistruar 10 raste me koronavirus në fazën e parë të testeve në 36 klubet e Bundesligës 1 dhe Bundesligës 2, teksa u realizuan gjithsej 1,724 teste. Faza e dytë e testimeve do të bëhet javën e ardhshme. Rikthimi në fushë i Bundesligës do të ishte një argument i fortë në favor të atyre që kërkojnë rikthimin e futbollit anembanë kontinentit të vjetër.