AlbanianSport.com 17.03.2017 16:50
ASNN – Është hedhur sot në Nion të Zvicrës shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Evropës, duke ofruar disa përballje mjaft interesante. Kështu, veprimtaria më prestigjioze të klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, ka hedhur sot në mesditë shortin e turit çerekfinale, duke përvijuar edhe 4 betejat e fundit drejt finales së madhe të majit.
Dhe shorti ka qenë i pamëshirshëm me skuadrat e mëdha dhe i pamëshirshëm me ato më pak të favorizuara. Kështu, finalistja e vjetshme, Atletiko e Madridit, do të përballet me kampionen e Anglisë, Leister Sitin, ndërsa Borusia e Dortmundit do të ndeshet me Monakon. Ndërkaq, në dy duelet e tjera, Bajerni i Mynihut do të përballet me kampionen në fuqi të kontinentit, Realin e Madridit, në atë që është padyshim një finale e parakohshme.
Jo më pak i fortë është dueli i fundit, ai midis Juventusit dhe Barcelonës, ndërsa ndeshjet e para të çerekfinaleve luhen më 11 dhe 12 prill, ndërsa ato të kthimit, një javë më pas, më 17 dhe 18 dhe 19 prill 2017. Ndërkaq, edhe veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka hedhur shortin e çerekfinaleve dhe njëra nga favoritet për këtë trofe, Mançester Junajtid, do të sfidohet nga belgët e Anderlehtit.
Skuadra tjetër belge, Genku, do të përballet me Celta Vigon, ndërsa, në atë që janë padyshim dy prej çifteve më të forta, Ajaksi do të ndeshet me Shalke 04-ën, ndërsa Lioni me Beshiktashin. Ndeshjet e para të çerekfinaleve të Ligës së Evropës, që po sillet për sportdashësit drejtpëdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, do të luhen më 11 dhe 13 prill, ndërsa ato të kthimit, një javë më pas, më 20 prill 2017.