AlbanianSport.com 17.10.2015 16:10
ASNN – Sfida midis Kukësit dhe Laçit është mbyllur me fitoren 1-0 të vendasve. Kukësianët kanë marrë tri pikë falë golit të realizuar nga Malota. Pas kësaj fitoreje skuadra veriore ngjitet në kuotën e 13 pikëve po aq sa Teuta e vendit të dytë. Kjo ndeshje u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar. Kështu, Kukësi ka mposhtur Laçin me rezultatin 1-0 në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin “Zeqir Ymeri”, e vlefshme për javën e 7-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
3 pikë të çmuara këto për skuadrën kuksiane që ngjitet në kuotën e 13 pikëve po aq sa Teuta e vendit të tretë. Sfida është zhvilluar e fortë, me mjaft rivalitet dhe me sulme të rrezikshme nga ana e të dyja skuadrave. Fillimisht rrezikojnë kukësianët, me anë të brazilianit Flores, që gjuan mjaft bukur në ecje e sipër në minutën e 12-të, nga një largësi prej mbi 30 metra por topi kalon mbi shtyllë. Më pas, në të 29-tën është Mici që tenton nga larg me të majtën por mbi shtyllën horizontale. Kundërpërgjigjet Laçi në minutën e 32-të, me anë të Buljanit, që ekzekuton bukur një goditje dënimi, por pret portieri i Kukësit.
Minuta e 42-të, sulm i bukur i Kukësit nga krahu i djathtë i sulmit të vet, Hallaçi me qetësi brenda zonës i pason saktë Likës që gjuan fuqishëm brenda zonës por largon malazezi i portës laçjane. Me rezultatin 0-0 mbyllen 45 minutat e para. Pjesa e dytë nis me një sulm të miqve nga Laçi, kur në të 51-tën minutë, është Mitre që rrezikon brenda zonës kuksiane por topi përfundon mbi shtyllën horizontale. Dy minuta më pas, kundërpërgjigjet Kukësi me brazilianin Flores që midis tre mbrojtësve te Laçit, gjuan me të djathtën në vijën kufizuese të zonës, por topi përfundon jashtë.
Është minuta e 60-të kur Buljan prek topin me dorë brenda zonës dhe gjyqtari Pashaj e ndëshkon me karton të kuq dhe 11-metërsh për Kukësin. Flores gjuan nga pika bardhë dhe portieri Vujadinoviç grushton topin në të dy rastet që godet braziliani. Ndërsa dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit pa gola, Kukësi kalon në epërsi me anë të Malotës. Në fund të takimit, vendasit rrezikojnë me anë të Limas, por Vujadinoviç largon topin me këmbë.
Kjo ndeshje u përcoll për teleshikuesit nga rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar. Në ndeshjet e tjera u arritën këto rezultate, Bylis është mundur nga Partizani 1-2, Vllaznia ka fituar me Tërbunin në Pukë 2-0, ndërsa të premten ndeshja Skënderbeu ka barazuar 2-2 me Teutën. Takimi i fundit i kësaj jave, ai midis Tiranës dhe Flamurtarit, luhet sonte, duke nisur nga ora 17:00. Renditjen e Kategorisë Superiore e kryesojnë Skënderbeu dhe Partizani, me nga 19 pikë secila, të ndjekura nga Kukësi dhe Teuta, me nga 13.