AlbanianSport.com 08/01/2020 23:55
ASNN – Verilindorët kanë zhvilluar të mërkurën dy seanca stërvitore, ndërron data e miqësores së parë. Kukësi vijon përgatitjet në Antalia të Turqisë, atje ku ndodhet që prej datës 4 janar. Nënkampionët e Shqipërisë do të qëndrojnë deri më 17 janar në tokën turke.
Përveç stërvitjeve, ekipi i drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro kishte planifikuar të zhvillonte dhe 3 ndeshje miqësore, madje me secilën prej tyre pati nënshkruar edhe kontratën e bashkëpunimit për këto përballje. Ishte planifikuar që të zhvillohej të martën, më 7 janar, miqësorja e parë kundër Trabzonsporit, me datë 11 me skuadrën tjetër turke, Mallatjasporin dhe me 15 janar kundër ekipit rumun të Politeknika Iasit.
Por pasi është anuluar miqësorja me Trabzonsporin, me kërkesë të turqve, burime pranë klubit verilindor kanë bërë se edhe ndeshja me Mallatiasporin ka ndërruar datë dhe do të luhet një ditë më herët, më 10 janar 2019. Ndërkohë, të mërkurën skuadra verilindore ka zhvilluar dy seanca stërvitore në atë që ishte dita e 4-t e kësaj faze përgatitore në tokën turke.
Grupi ka qenë i plotë në dispozicion të trajnerit Shpëtim Duro, teksa skuadra e paradites është zhvilluar nga ora 10:00 deri në ora 11:30, ndërsa ajo e pasdite nga ora 16:00, deri në 18:00. Sa i përket merkatos, Kukësi duket se do të afrojë vetëm një lojtar për të zëvendësuar sulmuesin Mirlind Daku të larguar. Një gjë të tillë e ka konfirmuar dhe trajneri Duro, i cili e ka thënë dhe më parë se ekipin e ka të plotë dhe nuk ka nevojë për ndryshime.