AlbanianSport.com 06.08.2015 10:25
ASNN – Kukësi luan sonte ndeshjen e kthimit të turit të 3-të eliminator të Ligës së Evropës, kur të zbresë në fushën e blertë në kryeqytetin e Polonisë, për t’u ndeshur me Legian. Siç dihet, Komisioni i Disiplinës i UEFA-s ka dhënë vendimin përfundimtar për fatin e nënkampionëve shqiptarë, Kukësit, përsa i përket ndeshjes së ndërprerë me Legian e Varshavës.
Sipas vendimit të organizmit që qeveris futbollin kontinental, uefa.com, Kukësi është ndëshkuar me humbjen 0-3 në tavolinë të ndeshjes. Përsa i përket sjelljes së tifozëve, ku një lojtar polak u godit në kokë nga objekte të forta, çka çoi në ndërprerjen dhe, më pas, pezullimin e ndeshjes, Kukësi është ndëshkuar me 70 mijë euro gjobë si dhe do t’i luajë dy ndeshjet e ardhshme në fushën e vet në Kupat e Evropës, pa tifozë.
Ky ndëshkim i fushës mund të shtrihet në dy sezone, në varësi të ecurisë së skuadrës verilindore në Kupat e Evropës. Ndërkohë, ndeshja e kthimit do të luhet sonte, siç ishte programuar, në kryeqytetin polak dhe Kukësi ka një detyrë mjaft të vështirë, kapërcimin e situatës së krijuar nga ndeshja e parë dhe përmbysjen e humbjes 0-3, çka nënkupton se verilindorët do të kualifikoheshin vetëm në rast të një fitoreje me të paktën 4 gola diferencë.