Adriatik Balla 29.07.2015 20:25
Ndeshja me Legian shënon një pikë kulmore për skuadrën kuksiane, pasi, nëse ia del mbanë të eliminojë polakët, atëherë shkon në “play-off”-in e Ligës së Evropës dhe përsërit suksesin e dy viteve më parë, kur u eliminua në raundin para fazës së grupeve nga Trabzonspori turk.
Këtë herë kuksianët synojnë të eliminojnë Legian dhe të shpresojnë në short për të asur një avantazh ndaj rivalit tjetër, sepse presidenti Gjici ka kërkuar më të mirë dhe afrimin me fazën e grupeve. Troisi nuk ka bërë eksperimente në ditët e përgatitjeve, pasi këtë herë nevojitet më shumë kujdes, harmoni dhe shpejtësi se në ndeshjet e mëparshme.
Në mungesë të Pero Pejiçit në sulm, trajneri brazilian duket se do t’u drejtohet bashkëatdhetarëve të vet, të cilët Kukësi i ka me shumicë. Nga mbrojtja e deri në sulm thuajse gjysma e skuadrës janë brazilianë dhe, me këtë, duket se Gjici ka dashur t’u thotë se kualifikimi është në “dorën tuaj”.
Troisi ka provuar me brazilianët të çajë në sulm dhe këtë gjë pritet të praktikojë në takimin ndaj Leagias në “Qemal Stafa”. Synohet fitore me çdo kusht dhe spektatorët mund të shijojnë një ndeshje me nivel të lartë ku Kukësi do të bëjë agresivin, nisur dhe nga fakti se ndeshja luhet në fushën e tij.
Optimizmi në radhët e grupit dhe të stafit është shumë i madh, por në baste fitorja e Kukësit kuotohet në shifra të larta, sepse favoritë shihen polakët e Legias. Sidoqoftë, në fushë do të jenë 11 përballë 11-ve, kështu që Kukësi ka shanset e veta për lojën dhe fitoren, prandaj dhe trajneri Troisi ka besim tek aftësitë e lojtarëve të tij dhe marrja e një rezultati premtues.