AlbanianSport.com 30/10/2018 19:50
ASNN – Kukësi i thotë “lamtumirë” stadiumit “Elbasan Arena”, ndeshjet e veta do t’i luajë në Kamzë. Në kuadër të javës së 11-të të Kategorisë Superiore, ndeshja Kukësi-Flamurtari do të luhet në stadiumin e Kamzës. Vendimin e ka marrë vetë klubi verilindor, i cili prej kaq shumë javësh kishte humbur tifozerinë e tij si pasojë e largësisë së qytetit me vendin ku zhvillohen ndeshjet.
Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Kukësi informon se tani e tutje ndeshjet e skuadrës që janë brenda fushe do t’i luajë në stadiumin e Kamzës, pikërisht në atë vend ku ndodhet edhe numri më i madh i mbështetësve të skuadrës verilindore. Dihet që në Kamzë ka shumë qytetarë që janë shpërngulur nga Kukësi e jetojnë në periferinë e kryeqytetit e kjo është një mundësi që ata të vijnë e të mbështesin skuadrën e zemrës.
“Ndeshja e javës së 11-të, – nis deklarata e klubit kukësian, – e vlefshme për Kategorinë Superiore, FK Kukësi-FK Flamurtari, do të zhvillohet në Stadiumin e Kamzës, në orën 14:00 të ditës së premte. Duke marre në konsiderate numrin e madh të mbështetësve të Futboll Klub Kukësit të cilët banojnë në Bashkinë Kamzë pas zhvendosjes së tyre ndër vite nga rrethet e Kukësit, Hasit e Tropojës por edhe më gjerë, presidenti i klubit, z.Safet Gjici vendosi që të zhvillojë ndeshjen e kësaj jave në stadiumin “Kamza” duke iu mundësuar tifozëve që të shikojnë ndeshjen përballë Flamurtarit pa pagesë.”
“Ndërkohë pas marrjes së këtij vendimi, duke shpresuar në vijimin e bashkëpunimit me drejtuesit e klubit të Kamzës por dhe me mirëkuptimin e bashkisë, do të shqyrtohet mundësia e zhvillimit të gjitha ndeshjeve në këtë stadium”, – përfundon njoftimi i Kukësit, i bërë publik nëpërmjet profilit zyrtar të klubit në rrjetin social “Facebook”.