Gjergj Vyshka 07.08.2015 11:25
Legia e Varshavës ka bërë detyrën në ndeshjen e kthimit të Ligës së Evropës, ndërsa në një lojë pa shumë histori ka vlejtur për polakët goli i Kuçarçik. Minimalisht 1-0, ndërsa polakët, me mendjen tek kampionati dhe “play-off”-i të Ligës së Evropës në xhep pas fitores në “tavolinë” në Komisionin e Disiplinës, thuajse kanë luajtur me një formacion ndryshe nga një javë më parë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë.
Kukësi është munduar të surprizojë, por ka qenë e vështirë përmbysja e rezultatit 0-3, ndërsa kështu duket se është vulosur fundi i kapitullit të Troisit dhe brazilianëve të tij. Po pse jo dhe e presidentit Gjici, që duket se tashmë do të rishikojë dhe pozicionin e tij në krye të verilindorëve. E Kukësi ndërpret ëndrrën e tij në Ligën e Evropës duke mos arritur kështu të përsërisë sezonin e para dy vjetëve, atëherë kur në “play-off”-in e Ligës së Evropës, u eliminua nga turqit e Trabzonsporit.
Me idenë për të kërkuar përmbysjen, Kukësi i trajnerit Troisi është rreshtuar me një skemë taktike 4-4-1-1. Kurse polakët edhe pse nuk kanë lojtarët e ndeshjes së parë, sidomos Nikoliç, kanë ruajtur të njëjtën skemë taktike si në ndeshjen e parë, 4-2-3-1. Në përgjithësi, ka qenë një pjesë e parë e cila ka pasur më shumë faulla në mesfushë, sidomos nga polakët, të cilët janë munduar kështu të frenojnë vërshimin e brazilianëve të Kukësit.
Dhe për rrjedhojë gjuajtjet janë me pikatore, nga tre për secilën skuadër, por Kukësi nuk e ka pasur fatin të surprizojë. Falë dhe rezultatit të ndeshjes së parë, 3-0, polakët kanë luajtur qetësisht dhe pa presion. Gjë që ka qenë tek Kukësi, por që përmbysja e madhe si në Podgoricë nuk ka ardhur. Polakët e kanë nisur me gol, teksa ka shënuar shpejt Kusharzhnik. Më tej është një lojë, atje ku Legia tenton të shënojë golin e dytë për të qenë më i sigurt në avantazh.
Por Koçi disa herë ka qenë vendimtar në pritjet e tij. Por dhe Kukësi nuk ka harruar të sulmojë. Dhe i është afruar golit të barazimit, sidomos me Shametin në fund. Thuajse në një ndeshje miqësore dhe administrimin e mirë të avantazhit nga polakët, Kukësi e ka humbur dhe ndeshjen e kthimit dhe tashmë duhet të mendojë për një tjetër ekip në kampionat.