AlbanianSport.com 06/12/2018 13:50
ASNN – Sulmuesi kryesor i Kukësit, Arturo Rexhinaldo, duket se është pranë një “divorci” të pashmangshëm me klubin verilindor dhe shkak janë marrëdhëniet e tensionuara me drejtuesit e klubit dhe me trajnerin Armando Cungu. Të premten e shkuar, Rexhinaldo është bërë baba dhe ka kërkuar leje nga klubi që të largohet. Por klubi i Kukësit nuk i ka dhënë leje dhe lojtari është mërzitur tej mase.
Ai është parë fillimisht të grindet me trajnerin Cungu, i cili e hoqi nga fusha në ndeshjen e fituar në Gjirokastër, ndërkohë që për dy ditë me radhë, të hënën dhe të martën, futbollisti nuk është paraqitur fare në stërvitje. Sipas pretendimeve të mediave sportive, Rexhinaldo është dukur në stërvitje vetëm ditën e mërkurë, duke bërë në mënyrë të diferencuar vrapime rreth fushës dhe duke lënë të nënkuptuar se vuan nga një dëmtim.
Por edhe këtë lloj stërvitjeje e ka braktisur, duke u larguar. Në klub, për të mos e acaruar më tej situatën thanë se ai ka qenë me leje, por më në fund u zbulua se Rexhinaldo po vepron në kokën e tij. Sipas këtyre informacioneve, klubi i Kukësit pritet ta penalizojë Rexhinaldon, për sjellje jo sportive dhe rebelim ndaj klubit, si dhe braktisje pa shkak e stërvitjes.
Duke parë situatën e krijuar, ka gjasa që trajneri Armand Cungu të mos e aktivizojë atë në duelin e së premtes kundër Skënderbeut. Rexhinaldo është sulmuesi më i spikatur i Kukësit, me 6 gola në 15 ndeshje, i dyti në ranglistën e golashënuesve të Superiores, pas Latifit të Teutës që ka realizuar 8 gola. Momentalisht, largimi i tij nga Kukësi nuk është opsion, pasi lojtari është nën kontratë me klubin verilindor.